Detaje të reja kanë dalë nga krimi i ndodhur ditën e sotme në zonën e Laknasit, në Kamzës, ku një i moshuar ka hapur zjarr ndaj dy fqinjëve të tij, duke vrarë njërin dhe duke plagosur tjetrin.
Si shkak i konfliktit mbeti i vrarë Shefqet Hasa 55-vjeç, ndërsa konflikti mësohet se ndodhi për shkak të një kanali të ujërave të zeza. Ky konflikt sipas raportimeve ka qenë i vazhdueshëm mes dy komshinjve dhe e ke zanafillën që tre vite më parë dhe policia ka pasur dijeni.
Ndërkohë mësohet se 50-vjeçari që u raportua se mbeti i plagosur ka qenë një kalimtar i rastit dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen. Besim Keça mbeti i plagosur nga të shtënat me armë, ndërsa është transportuar në spital ku edhe po merr trajtim mjekësor.
Sakaq, shefi i Komisariatit të Policisë në Kamëz është shprehur për mediat se Maliq Marku u arrestua në banesën e tij dhe arma e krimit mbahej nga ai pa leje.
Shkak për konfliktin u raportua se ka qenë një kanal i ujërave të zeza që kalonte pranë banesave të tre personave të përfshirë në rast.
“Kemi marrë njoftimin për ngjarjen kriminale dhe menjëherë kemi arrestuar autorin e ngjarjes, Maliq Marku, 70-vjeç. Autori i vrasjes u arrestua në banesën e tij. Rezulton se një person është vrarë dhe tjetri ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Konflikti raportohet se ka qenë për motive të dobëta.
Arma tip kallashnikov ishte pa leje dhe u kap në banesë. Bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza që ndodhet pranë banesave të personave të përfshirë në konflikt”, u shpreh shefi i Komisariatit të Kamzës.