Policia ka vënë sot në pranga një prej të shumë kërkuarve për atentatin e 2 viteve më parë, ku u vra Shkëlzen Kastrati. Ky i fundit u qëllua për vdekje në makinë e tij.
Lidhur me ngjarjen u arrestua fillimisht Albert Zaja, i cili është dënuar me 21 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim. Ndërkohë në kërkim kanë qenë Elson Xheçuka, Elmir Tufa dhe Silvia alias Roland Cara.
Sipas burimeve pranë policisë Elson Xheçuka, dyshohet se është njeriu që ka qëlluar me armë Shkëlzen Kastratin.
Xheçuka, sipas policisë rezulton të jetë vëllai i Hektor Xheçukës, që u arrestua në vitin 2018 dhe më pas u lirua nga burgu në Prill 2019, si person i dyshuar në vrasjen e shtetasit Emiljano Boci.
Të katër personat kanë pasur detyra të ndara në këtë atentat të realizuar në janar 2021, ku dy i janë afruar me makinën tip “Range-Rover”, objektivit Shkëlzen Kastrati, duke qëlluar njëri prej tyre.
Ndërsa dy të tjerë kanë qëndruar në dalje të Fierit me një makinë tjetër, në pritje për të ardhur me shpejtësi dy shokët, që kanë qëlluar mbi Kastratin. Sipas aktit të ekspertimit, Kastrati është qëlluar nga një distancë e afërt, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Kërkimet për kapjen e Tufës dhe dy personave të tjerë Xheçuka e Cara, janë kryer për disa vite nga ana e komisariatit të policisë Vlorë dhe Fier, por çuditërisht nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Por ai u ndalu sot nga Forcat Operacionale të Tiranës.