MENU
klinika

Hetimet për Arben Ahmetajn

SPAK merr në pyetje biznesmenin Sokol Meqemeja

19.11.2023 - 22:19

Biznesmeni Sokol Meqemeja këtë të premte ka qënë në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar në hetimet që po ndiqen për Arben Ahmetajn.

OraNews ka siguruar pamjet ekskluzive kur biznesmeni i “Frogo Food’ futet në ambjetet e SPAK.

Sokol Meqemeja rezulton aksioner në të paktën 10 kompani, ndërsa SPAK thotë se ai, Sonila Goxhaj dhe njëra nga kompanitë e tij “Frigo Food”, është përdorur si maskë per shitjen e një apartameti dhe 1 garazhi nga Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

“Fshehja e pasurisë dhe deklarimit të rremë, të shumës prej 140 000 euro, në vitin 2018, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një “shitje” ndaj shtetases Sonila Goxhaj, të 1 apartamenti me sip 178.68 m2 dhe i garazhdi, me sipërfaqe 21 m2, ndodhur në vendin e quajtur “Selitë”, në pallatin ndërtuar nga shoqëria “Sheron”.

Kjo vlerë është paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Sonila Goxhaj, Sokol Meqemeja dhe shoqërisë “Frigo Food” që administrohet nga Meqemeja’’, thuhet në dosjen e SPAK.

Biznesmeni i dha Ahmetajt 140 mijë euro
Në dosjen 320 faqe të SPAK për Arben Ahmetajn, mes emrash politikanësh e biznesmenësh të ndryshëm, evidentohet veçmas nga Prokuroria e Posaçme një episod me protagonist biznesmenin Sokol Meqemeja, pronari i kompanisë “Frigo Food”, një prej bizneseve më të mëdha të mishit në vend.

Sokol Meqemeja akuzohet nga SPAK se i ka dhënë Arben Ahmetajt, përmes skemave të shitjeve fiktive të apartamenteve, 140 mijë euro. Prokuroria e Posaçme evidenton se kjo shumë ka shkuar për ish zv. kryeministrin si shpërblim për inceneratorin e Fierit, të cilin e kishte marrë përmes kompanisë Building Counstriction & Green Energy, ku ishte një prejk krijuesve të saj.

‘Në skenë del emri i shtetasit Sokol Meqemeja, i cili rezulton të jete një emër i njohur përgjatë këtij parashtrimi dhe njohje e shtetasve Klodjan Zoto dhe Mirel Mertici (njohje dhe bashkëpunim edh profesional, pasi ndër të tjera është evidentuar si një ndër personat e përfshirë në krijimin e shoqërisë Building Construction & Green Energy, shoqëri e cila rezulton të ketë paraqitur propozimin për marrjen e inceneratorit të Fierit dhe të ketë përfituar edhe bonusin prej 10 piksh. Nga verifikimi librave të blerjes dhe të shitjes të deklaruar në organin tatimor shoqëria nuk rezulton të ketë ushtruar aktivitet tregtar-‘- thuhet në dosjen e SPAK.

Po si ia kaloi Meqemeja 140 mijë eurot Arben Ahmetajt? Skema është identike si në rastet e treguara edhe më parë, përmes personave të tretë.

“Sokol Meqemeja, i shoqërisë “Frigo Food Shpk” datë 05.05.2018, është miratuar dhënia e huasë për shtetasen Sonila Goxha në vlerën 140.000 Euro. Shtetësja Sonila Goxhaj rezulton të ketë dy fëmijë nga marrëdhënia që ka me shtetasin Sokol Meqemeja”- thuhet në dosjen e SPAK.

Pra, Sonila Goxhaj ka marrë gjoja një hua 140 mijë euro nga ‘Frigo Food’ kompania e Sokol Meqemeja dhe ka lidhur kontratën me ish gruan e Arben Ahmetajt Albina Mançka për të blerë apartamentin me sipërfaqe 178 m2 dhe një garazh 21 m2. Apartament i cili më parë i ishte shitur një tjetër personi me emrin, Besmir Prifti.

Sonila Goxhaj në dëshminë ka thënë se e ka blerë apartamentin për motrën e saj por që në sipas SPAK motra nuk e kishte parë asnjëherë apartamentin dhe nuk e ka përdorur asnjë herë.

“Por këtë hua ia ka borxh kësaj kompanisë shpk, e cila është në pronësinë e babait të fëmijëve te saj, i cili quhet Sokol Meqemeja. Pra huaja është miratuar nga babai i fëmijëve të saj, shtetasi Sokol Meqemeja….Aktualisht apartamenti është i ndërtuar në fazën përfundimtare por është në gjendje të rënduar për shkak se nuk është mirëmbajtur pasi Sonila nuk e disponon plotësisht”- thuhet në dosje.

E çuditshme sipas Prokurorisë së Posaçme është se Goxhaj nuk ka paguar prej 5 vitesh asnjë këst për ta kthyer huanë prej 140 mijë eurosh por pasi është pyetur nga SPAK ka shkuar dhe ka paguar 4 milion lekë (të reja).

“Pasi shtetësja Sonila Goxhaj është thirrur për t’u pyetur në prokurori, konstatohet se në ditarin e bankës të shoqërisë “Frigo Food”, për vitin 2023, pasqyrohet një pagesë e bërë nga shtetasja Sonila Goxha për llogari të FrigoFood, periudha 01.04.2023-09.05.2023, ku rezulton nje transaksion bankar në vlerën 4,000,000 lekë, datë 08.05.2023, si kthim i huas”- thuhet sipas dosjes.

Duhet theksuar edhe një herë se sipas SPAK Ky apartament ishte blerë më parë me shumën 130 mijë euro edhe nga Besmir Prifti, kushëri i Mirel Mërtirit. Ashtu si ky i fundit edhe familjarët e Sonila Goxhajt sipas prokurorisë nuk e kishin parë ndonjëherë apartamentin. Vetë motra e Sonilës thotë se nuk e di sa është blerë dhe e ka parë vetëm një herë në video.

Si konkluzion SPAK thotë se për një apartament të shitur 2 herë Arben Ahmetaj mori 270 mijë euro, 130 mijë nga Mirel Mërtiri dhe 140 nga Sokol Meqemeja si shpërblim për inceneratorin.

“Gjithsej shuma prej 270 000 euro e paguar nga shtetasi Besmir Prifti dhe Sonila Goxhaj, ekziston dyshimi se është përfitim i paligjshëm i marrë nga shtetasi Arben Ahmetaj, në formën e mitës, në kuadrin e ushtrimit të funksionit të tij si funksionar i lartë, Ministër i MZHETS dhe Ministër i Financave gjatë kohës së dhënies së procedurave të koncensionit të mësipërm. Këto para derivojnë pikërisht nga shoqëria Integrated Technology Services sh.p.k. dhe nga shtetasi Sokol Meqemeja pjesë e shoqërisë Building Construction & Green Energy sh.p.k”- thuhet në dosjen e SPAK.

Duke përmbledhur të gjithë skemën e shitjeve fiktive të apartamenteve SPAK del në përfundimin se vetëm përmes kësaj skeme në duart e Arben Ahmetajt shkuan mbi 440 mijë euro.