Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për mediat serbe është ndalur në ngjarjet në rajon dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë fjalë së tij, Stoltenberg është shprehur se çdo sulm apo dhunë ndaj qytetarëve në Kosovë është i papranueshëm.
“Çdo sulm, çdo dhunë ndaj qytetarëve në Kosovë është i papranueshëm. Mesazhi është i njëjtë nëse bëhet fjalë për dhunën ndaj 93 anëtarëve të trupave të NATO-s në maj, apo për atë që ndodhi në Banjskë apo për ndonjë shembull tjetër”, ka thënë Stoltenberg, në intervistën e gazetës serbe Blic.rs.
Kreu i NATO-s theksoi se rajoni i Kosovës është i rëndësishëm për NATO-n.
Ndër të tjera ai u shpreh se NATO po përpiqet të sigurojë paqe dhe stabilitetit, ndërsa theksoi se “kemi nevojë për hetime, për një proces ligjor për të siguruar që të gjithë njerëzit të mund të lëvizin dhe të jetojnë të lirë dhe të sigurt”.
“Ne jemi të pranishëm këtu, ne kemi një histori këtu dhe ne përpiqemi kudo që të mundemi të ndihmojmë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit. Duhet respektuar shteti i së drejtës dhe përgjegjësit për dhunën duhet të përgjigjen. Ne kemi nevojë për hetime, kemi nevojë për një proces ligjor për të siguruar që të gjithë njerëzit të mund të lëvizin dhe të jetojnë të lirë dhe të sigurt. Kjo është detyra kryesore e NATO-s, për të mbrojtur njerëzit që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe serbët. NATO ka shtuar praninë e saj në veri të Kosovës për të përmbushur mandatin e saj”, u shpreh ai.
I pyetur për zëvendësuesin e tij, Stoltenberg tha se NATO do të arrijë të gjejë një pasardhës të mirë dhe të emërojë një Sekretar të ri të Përgjithshëm përpara samitit të ardhshëm.
Tashmë është zgjatur disa herë. Unë kam qenë vërtet i privilegjuar t’i shërbej NATO-s, veçanërisht në një moment vendimtar për sigurinë tonë me luftën e ripërtërirë në Evropë. Por jam absolutisht i sigurt se NATO do të arrijë të gjejë një pasardhës të mirë dhe të emërojë një Sekretar të ri të Përgjithshëm përpara samitit të ardhshëm.