MENU
klinika

Akse të bllokuara dhe probleme me energjinë

Stuhia ‘Ciaran’/ Si paraqitet situata nga jugu në veri

04.11.2023 - 11:10

Ditën e djeshme Shqipëria u godit nga stuhia ‘Ciaran’ që tashmë ka goditur pjesën më të madhe të Evropës duke shkaktuar dëme të shumta dhe viktima.

E njëjta situatë me stuhi ere të shoqëruar me rrebeshe shiu dhe shtrëngata pritet të vijojë edhe gjatë ditës së sotme (4 nëntor) sipas njoftimit të dhënë nga Shërbimi Meterologjik Ushtarak (SHMU) për vendin tonë.

Në 24 orët e fundit janë raportuar disa probleme në segmente rrugore, ndërsa emergjencat civile janë në terren po mbajnë në monitorim situatën.

Në Shkodër dhe Vlorë aktualisht nuk raportohet probleme. Në Vlorë lundrimi detar është pezulluar për shkak të dallgëve, të cilat e pamundësojnë daljen në det.

Në Elbasan dhe Librazhd ka pasur rënie inertesh në disa akse rrugore, ndërsa niveli i lumenjve është në nivel mesatar. Po ashtu, ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në një pjesë të qytetit të Peqinit dhe rrethinat e Cerrikut.

Stuhia ‘Ciaran’/ Akse të bllokuara dhe probleme me

Në Fier, reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në furnizimin me energjinë elektrike. Në segmentet rrugore nuk raportohet për probleme apo rënie inertesh nga shpatet e maleve.

Në Durrës situata është e qetë, teksa jatë natës ka pasur prani të reshjeve me intensitet të ulët deri mesatar.

Niveli i prurjeve në të dy lumenjtë Ishëm dhe Erzen (problematikë nga përvoja e viteve të kaluara), janë rritur por nuk paraqet rrezik për dalje nga shtrati. Nëse do ketë prani të rreshjeve me intensitet të lartë mundësi për daljen nga shtrati të lumit Ishëm është e lartë për shkak se në këtë lumë derdhen ujërat e malësisë së Krujës dhe të Tiranës (lumi i Tiranës, Tapizës,Paskuqanit dhe disa përrenj);

Hidrovorët e Porto-Romanos dhe Hamallajt vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Në lagjen Baromet, Shijak për shkak të bllokimit të disa pusetave ka dalë uji në rrugë. Është duke u punuar me pompë thithëse nga ana e forcave zjarrfikëse.

Ndërkohë rreth 13 fshatra të njësisë administrative Gorë në Maliq janë pa energji elektrike. Lajmi është bërë me dije nga administratori i kësaj njësie, Nazmi Qose, kur tha se e gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të reshjeve të shumta shoqëruara me erë të fortë dhe stuhi.

Fshatrat e Gorës, sipas administratorit kanë një shtrirje të madhe dhe ajo që është më shqetësuese, rrjeti është shumë i amortizuar dhe shtrihet në zona të thella malore.

Për këtë arsye gjithmonë kur ka reshje shiu me erë të fortë, pjesa më e madhe e këtyre fshatrave ngelen pa energji elektrike.

Sipas informacioneve grupet e OSHEE-së janë në terren. Drita nuk ka edhe në njësinë administrative Çërravë dhe Dardhas të Pogradecit.