Ka përfunduar takimi joformal i liderëve të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në takimin që për herë të parë u mbajt në Shkup, pas anëtarësimit të vendit në NATO, morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç.
Në këtë samit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kërkoi nga Maqedonia e Veriut avancimin e procesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit me liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe Malit të Zi, Stoltenberg tha se ka ardhur koha të zgjidhen përfundimisht konfliktet në Ballkan, të cilat kanë zgjatur së tepërmi.
Ai e vuri theksin te zgjidhja përmes dialogut dhe shtoi se themelimi i Asocacinit do të jetë një hap i rëndësishëm përpara.
Gjithashtu Stoltenberg theksoi se paqen në rajon në cënon jo vetëm situata në Kosovë por dhe në Bosnjë Hercegovinë.
“Vërejmë se ka rreziqe nga situata në Kosovë dhe negociatat e ngecura mes Prishtinës dhe Beogradit. Unë ju drejtohem të gjithëve në rajon, në çdo takim kam theksuar që është me rëndësi të fokusohemi në dialog për dallim nga konflikti dhe lufta. Dialogu është thelbësor për Kosovën dhe Serbinë drejt prospertitetit dhe paqes. Themelimi i Asocacionit mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara.
Është koha që të tejkalohen konfliktet në rajon të cilat po zgjasin tepër shumë”, tha Stoltenberg.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Shkup me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg dhe liderët e rajonit tha se është me rëndësi të shtohen forcat e NATO-s në Kosovë dhe të mbahet nën kontroll kufiri i cili aktualisht është të shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikimit të armëve dhe drogës.
“Jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrje të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme jo vetëm vëmendjen, por dhe trupat që duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet,” – u shpreh Rama.
Kryeministri tha se gjatë takimit ka propozuar ndërtimin e një formati të Samitit të NATO-s me Ballkanin Perëndimor, ku të jenë të pranishëm, jo vetëm vendet anëtare të NATO-s në rajon, por dhe vendet partnere të NATO-s, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që s’janë të pranishme, si dhe pjesa tjetër e vendeve anëtare që janë në kufi me rajonin dhe që kanë interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe procesin demokratik të rajonit.