MENU
klinika

Prokuroria Speciale jep urdhër

Thaçit, Veselit dhe Selimit iu pezullohen komunikimet

23.11.2023 - 13:44

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar sot që të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, përveç atyre me ekipin e avokatëve.

Sipas prokurorisë, ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.

Hetimet e Prokurorisë së Specializuar, sipas njoftimit, kanë zbuluar përpjekje të mëtejshme për të penguar procedurat nga të akuzuarit, pasi pretendohet se kanë biseduar me vizitorë duke i udhëzuar ata të bisedojnë me dëshmitarët potencialë, dhe t’iu tregojnë atyre çka të flasin.

Për këto arsye, prokuroria ka kërkuar që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’i pezullohen të gjitha komunikimet, përfshirë vizitat familjare fizikisht apo përmes Zoom, telefonatat dhe komunikimet me shkrim. Kjo do të jetë në fuqi, sipas Prokurorisë, deri në vendimin e trupit gjykues.

ZPS-ja ka urdhëruar që të ketë monitorim aktiv, nga një folës në gjuhën shqipe, të të gjitha komunikimeve jo të privilegjuara të tre të akuzuarve dhe ruajtjen e atyre të dhënave deri në përfundimin e gjykimit.

Prokuroria ka kërkuar që vizitat e privilegjuara të kufizohen vetëm për ekipin e avokatëve dhe tre të akuzuarit të ndahen nga të paraburgosurit e tjerë që janë në qendrën e paraburgimit aktualisht.