Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur në lidhje me dorëheqjen e drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Informative, Aleksandër Vulin. Ai ka justifikuar vendimin e tij, duke thënë se Vulin ka pasur presione që nga dita e parë kur u emërua në krye të BIA-s.
Ai thekson se nuk i takon të komentojë dorëheqjen e tij pasi është Presidenti i Serbisë por edhe sepse është i detyruar që për çështje të tilla të mos japë detaje.
“Thjesht nuk më takon mua ta komentoj këtë. Vulin është edhe një mik i imi me të cilin kam kaluar shumë kohë, e kuptoj edhe reagimin e tij, por nuk i ka rënë koka apo diçka e tillë. Ka pasur presione nga fillimi kur është emëruar në atë pozitë, që nga dita e parë dhe ka qenë e paqartë.
Kjo është pikërisht ajo që Vulin deklaroi në letrën e tij. Sigurisht, ai e di shumë mirë se si lëviz dhe cilat ishin pasojat apo cilat mund të jenë pasojat më tej. Nuk mund të vazhdoj të komentoj, sepse tani e ka pak më të lehtë se unë, ndërsa unë nuk mund të vazhdoj të komentoj për të gjitha, për arsyen e thjeshtë se jam President i Republikës, por edhe sepse jam i detyruar të mbaj sekrete dhe nuk mund të flas për çështje të tilla”, tha Vuçiç.