MENU
klinika

Kaosi i opozitës

Zjarri në Kuvend bëri xhiron e mediave ndërkombëtare, BE ‘shuplakë’ grupit të Berishës

22.11.2023 - 11:42

BE i ka dhënë një ‘shuplakë’ grupit të Berishës, të cilët hodhën flakadanë në Kuvend, teksa pritej të miratohej projektbuxhetin 2024..

Diplomacia ndërkombëtare është e shqetësuar për kaosin e krijuar nga opozita në Kuvend, ku në seancën e fundit u ndez edhe flakë, tymuese e u përmbysën karriget.

Ambasada e Bashkimit Europian në Tiranë thotë se parlamenti funksional është shtyllë qendrore në procesin për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Delegacioni i BE bën thirrje për dialog konstruktiv në interes të qytetarëve.

“Pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Bashkimi Evropian rikujton se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE. Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e BE.

Ndërkohë edhe ambasada e SHBA dhe e Britanisë së Madhe kanë dënuar dhunën, teksa u kanë bërë thirrje palëve politike të ulen në dialog. Për diplomacinë amerikane në vendin tonë, mosfunksionimi normal i Kuvendit, është në dëm të vendit.

“Një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar. Mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”, tha ambasada amerikane në një reagim për Zërin e Amerikës.

Ambasada Britanike me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facbeook’, ju është drejtuar me një thirrje si mazhorancës ashtu dhe opozitës, duke ju kërkuar që të zgjidhin mosmarrëveshjet me dialog.

“Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive. U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”, shkruan ambasada Britanike.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner ka shprehur shqetësimin për kaosin e krijuar në Kuvend nga Rithemelimi prej disa javësh, duke theksuar se është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ushtrojë kontrollin e ekzekutivit.

“Po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Qytetarët/et e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike. Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti.

Ndaj u bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve”, mbyllet reagimi i ambasadorit gjerman.

Të hënën (20 nëntor), ishte Gazment Bardhi që në një letër drejtuar Kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe trupës diplomatike në vend e quajti miniaturë të Kim Jong Un parlamentin dhe akuzoi se Garda e Republikës ka zaptuar sallën plenare në intimidim të deputetëve të opozitës. Kuvendi miratoi buxhetin e shtetit mes flakëve, në një seancë të shkurtër, pas kaosit që grupimi i deputetëve të Berishës dhe të Bardhit krijuan me tymuese dhe përmbysje të karrigeve.