Avokati Spartak Ngjela foli për kaosin e shkaktuar nga Rithemelimi në seancën që u mbajt dje për buxhetin, ku pati edhe zjarr të shkaktuar nga ndezja e një flakadani në tavolinat e opozitës.
Ngjela e konsideroi këtë ngjarje si cënim të sovranitetit, duke shtuar se përbën vepër penale.
“Parlamenti është sovrani. Ajo që ndodhi aty në seancë është cënim i sovranitetit. Dhe është vepër penale” – u shpreh Ngjela.
Sipas tij, kjo lloj situate e krijuar nga opozita në Parlament i leverdis vetëm Serbisë që sipas tij i ka frymëzuar lëvizje të tilla, pas shqetësimit që ka për peshës që ka bota shqiptare në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Beogradi e ka në favor këtë. Nuk është lëvizje shqiptare por e kundërshtarëve tanë që po varrosen nga madhështia që po krijon bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor”- shtoi avokati.
Sa i takon vendimit të Sali Berishës për të mos u paraqitur në GJKKO pavarësisht masës ‘detyrim paraqitje’ ndaj tij për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani, Ngjela e konsideroi në dëm të kreut të Rithemelimit, duke thënë se një veprim i tillë nuk është në favor të tij.