Ish-deputeti i PD Luçiano Boçi, i ftuar këtë mesditë në studion e “Opinion” në News24, foli për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për të ndryshuar masën e sigurisë për Sali Berishën.
Ndër të tjera Boçi u shpreh se kur një masë sigurie ndryshon do të duhet që të ketë fakte të reja, që sipas tij për Berishën nuk rezulton kështu.
“Kur masa e sigurisë ndryshon, duhen fakte te reja. Berisha është nën hetim, nuk ka akuza konkrete dhe vendimi i gjykatës për Berishën duhet te zhbëhet, në mënyrë që më pas t’i kalojë çështja SPAK”, tha Boçi.
Sipas tij në rastin e inceneratorëve SPAK reagoi për të shuar “zjarrin” e akuzave ndaj Ramës, ndërsa në rastin e Berishës është krijuar një “ngërç juridik”.
“Për inceneratorët, Rama firmosi, por nuk thirret nga SPAK si person me dijeni. Po vazhdojnë përpjekjet për të asgjësuar opozitën. Nxitimi i SPAK lidhet me aksionin e opozitës”, u shpreh ai.