MENU
klinika

"Olta, më e vështira për t’u menaxhuar"

Bora dhe Eno zbulojnë prapaskenat e ‘DWTS’

25.12.2023 - 13:21

Spektakli i njohur i kërcimit “Dancing With The Stars” do të mbyllë edicionin e tretë javën që vjen. Sakaq të ftuarit e puntatës së sotme në “Fan Club DWTS” dy moderatorët e spektaklit Bora Zemani dhe Eno Popi kanë treguar si rrallë herë emocionet dhe eksperiencën e tyre, por edhe ato çfarë ndodhin në prapaskenë.

Eno Popi: Në prapaskenë ka shumë atmosferë, ne punojmë me një ekip që është motor energjie i vazhdueshëm. Sido që të jetë energjia e skenës, atë që shihni juve në transmetim, është e pandarë edhe nga ajo që ndodh pas skenës. Jemi duke u konsultuar gjithmonë se çfarë ndodh më pas dhe jemi duke u bërë gati, por energjia nuk mungon. Qeshet shumë, ka shumë alegri, kërcehet shumë. Super është edhe atmosfera mbrapa.

Bora Zemani: Në prapaskenë ndodh dhe çdo gjë tjetër, duhet të bëjmë edhe të gjitha ato zgjidhjet e situatave që ndodhin në program live dhe ka shumë të tilla.

Përsa i përket jurisë, se kush juri ka qenë më e pabindur, e vitit të kaluar apo e këtij viti, Bora shprehet se këtë vit Olta është më e vështira sepse edhe pasi mbaron fjalën e saj, shpesh herë edhe i kundërpërgjigjet konkurrentëve.

Kiara Tito: Kush është juria më e pabindur, juria e vitit të kaluar apo juria e këtij viti?

Bora Zemani: Nuk di them kush ka qenë më i vështirë për t’u menaxhuar, por nga këta katër që janë këtë vit është Olta, është shumë e dukshme. Ka gjithmonë për të thënë diçka edhe kur e ka mbaruar fjalën e saj. Do i kundërpërgjigjet të tjerëve për çdo gjë, por është edhe shumë e lezetshme, është tamam lezeti i jurisë.