MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Çfarë është rregulli ABCDE që përdorin dermatologët për nishanet?

23.12.2023 - 07:33

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Çfarë është rregulli ABCDE që përdorin dermatologët për nishanet?

Mjeku: Disa nishane kanë mundësi më të madhe për tu transformuar në melanoma malinje. Ky është rasti i atyre të pranishme që nga lindje apo nishaneve atipike.

Nëse nuk dimë si ti diferencojmë nishanet, mund të udhëzohemi nga këto pesë shkronja të rregullit ABCDE:
A: Asimetria (Asymmetry)
Duhet të shohim formën e nishaneve. Ato me natyrë beninje kanë një formë të rrumbullakët dhe simetrike. E kundërta, ato me natyrë malinje kanë tendencën të jenë asimetrike dhe pa asnjë formë specifike.

B: Skajet (Borders)
Aspekti i dytë që duhet vlerësuar është rregullsia e skajeve të nishanit. Kjo karakteristikë është një tjetër e dhënë për të kuptuar nëse një nishan mund të jetë malinj. Kur skajet janë të çrregullt, me valëzime apo të përcaktuara keq mund të jetë një nishan malinj.

C: Ngjyra (Colour)
Nishanet beninje kanë të njëjtën tonalitet në të gjithë zonën e tyr të pigmentuar. Nga ana tjetër, një njollë që ka një varietet ngjyrash nga një zonë në tjetrën (kafe apo e zezë, dhe ndonjëherë e bardhë, e kuqe ose blu) mund të jetë me natyrë malinje.

D: Përmasat (Dimensions)

Nëse diametri i nishaneve, pra distanca nga një skaj në tjetrin është 6 mm ose më shumë, ndoshta është malinj. Nishanet beninje janë të përmasave të vogla.
Për ndihmë! Për të matur nishanet mund të përdorim gomën për të fshirë që ndodhet tek lapsat, që zakonisht kanë një diametër prej 6 mm.

E: Evoluimi (Evolution)

Duhet marrë në konsideratë gjithashtu dhe evoluimi i nishanit. Nëse vërejmë ndryshime progresive të ngjyrës e përmasave apo shfaqen njolla të tjerë përreth nishanit, është një shenjë e qartë se mund të jetë një melanomë.

Ky ekzaminim i shpejtë dermatologjik mund të bëhet dhe nga vetë ne. Nëse shohim ndonjë anomali, duhet patjetër ti drejtohemi mjekut. Gjithashtu rekomandohet një kontroll vjetor dermatologjik për të parandaluar çdo problem.

Për ta bërë rregullin ABCDE më të kompletuar dhe për të shquar praninë e ndonë rreziku për shëndetin, duhen pasur në konsideratë dhe disa aspekte si ënjtja, kruarja dhe gjakosja.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN