MENU
klinika

Aleanca SHBA-BE po e pengon

Cila do të jetë loja e Erdogan në Shqipëri dhe Kosovë?

08.12.2023 - 10:59

Pse Turqia mungon kaq dukshëm në vende si Bosnje Hercegovina, Kosova dhe Shqipëria, të cilat kanë popullsi me shumicë myslimane dhe që historikisht janë konsideruar po aq “otomane” sa vetë turqit. Sigurisht, prania ekonomike dhe politike turke në këto shtete është rritur që kur në pushtet u ngjit Erdogan.

Në krahasim me ambiciet e Turqisë si një lojtare e fuqishëm në Lindjen e Mesme, politika e saj në Ballkan ka qenë e ndrojtur dhe e dobët. Teorikisht rajoni i Ballkanit duhet të jetë një nga fokuset kryesore të politikës së jashtme “neo-otomane” të Erdoganit. Megjithatë, Turqia ka një prani të dobët dhe besnikëri politike jo koherente.

Lidhjet aktuale midis Turqisë dhe shteteve ballkanike janë kryesisht të natyrës ekonomike dhe kulturore, me një prani politike simbolike. Ndërkohë, aktiviteti i Ankarasë në vendet me shumicë myslimane të Lindjes së Mesme dhe Kaukazit, karakterizohet nga gatishmëria e madhe për t’u angazhuar politikisht dhe ushtarakisht në ngjarjet kryesore politike rajonale si Pranvera Arabe, dhe për ta mbështetur Azerbajxhanin në konfliktin e tij ushtarak me Armeninë.

Mungesa e angazhimit politik të Turqisë në Ballkan, mund të shpjegohet të paktën pjesërisht me faktin se shumica e shteteve ballkanike nuk kanë popullsi me shumicë myslimane. Shtetet ballkanike me shumicë të krishterë, e shohin shpesh Turqinë me dyshim për shkak të ankesave historike që e kufizojnë bashkëpunimin kryesisht tek lidhjet ekonomike në vend të angazhimit më të thellë politik.

Gjithsesi, kjo nuk shpjegon arsyen pse Turqia mungon kaq dukshëm në vende si Bosnje Hercegovina, Kosova dhe Shqipëria, të cilat kanë popullsi me shumicë myslimane dhe që historikisht janë konsideruar po aq “otomane” sa vetë turqit. Sigurisht, prania ekonomike dhe politike turke në këto shtete është rritur që kur në pushtet u ngjit Erdogan.

Por këto lidhje kanë qenë kryesisht simbolike, teksa Erdogan mbështet partitë politike që ndajnë lidhje ideologjike me partinë e tij AKP në Turqi. Investimet e shtetit turk janë përqendruar kryesisht në rindërtimin e trashëgimisë kulturore osmane, e cila është mirëpritur sidomos nga komunitetet myslimane të rajonit.

Megjithatë, investimet e mëdha infrastrukturore ose qeveritare ishin kryesisht të natyrës deklarative dhe realizoheshin rrallëherë në praktikë. Investimet private nga Turqia nuk dukej se kishin ndonjë mbështetje apo drejtim nga shteti për të investuar në shtetet ballkanike me shumicë myslimane.

Përkundrazi, investimet private turke shkruan kryesisht në shtetet me shumicë të krishterë si Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ato ishin ndoshta hapat e parë të Turqisë për t’u angazhuar në një rajon që e kishte dominuar për shekuj me radhë, në përgatitje për një angazhim më kuptimplotë në të ardhmen e afërt.

Megjithatë mungoi përfshirja e rëndësishme strategjike edhe në fushën e sigurisë. Me ç’duket qasja neo-osmane e Erdogan është e përqendruar në fokusimin, gjetjen dhe ndërtimin e aleancave me elementë konservatorë ose myslimanë në ish-provincat osmane, që sot janë shtete të pavarura.

Strategjia e tij është t’u ofrojë këtyre shteteve një nivel mbrojtjeje dhe bashkëpunimi ekonomik, që do t’i japë Turqisë një ndikim thelbësor. Vetëm tre shtete të tilla kualifikohen sot në Ballkan: Bosnje Hercegovina, Kosova dhe Shqipëria. Turqia ka kontaktuar partitë konservatore dhe të majta në Bosnjë, Kosovë dhe Shqipëri.

Partia më e madhe boshnjake – Partia e Veprimit Demokratik (SDA), themeluesi i së cilës njihet për simpatitë ideologjike me Vëllazërinë Myslimane – ka ushqyer lidhje të ngushta politike me AKP të Erdogan. Ato e konsiderojnë njëra-tjetrën si parti simotra me rrënjë të përbashkëta ideologjike. Vetë Erdogan e ka vizituar shpesh Sarajevën ku është pritur nga kreu i SDA-së në kryeqytetin boshnjak.

Por pavarësisht këtyre lidhjeve të ngushta dhe kontakteve të tjera, nuk mund të shmanget përfundimi se Turqisë i mungon aktualisht forca për një angazhim të madh politik në Ballkanin Perëndimor. Mungesa e një pranie kuptimplote, u ilustrua më së miri nga periudha e trazuar pasi Rusia pushtoi Ukrainën, e cila nxiti një përfshirje të madhe të aleancës SHBA-BE në politikën e brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, sidomos në Bosnjë dhe Kosovë.

Sa i përket shteteve me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor, u vendos një politikë e qartë frenimi në drejtim të parandalimit të ndikimit turk në rajon. Duke pasur parasysh se politika e SHBA-së në Lindjen e Mesme gjatë epokës Obama, ishte kryesisht reaguese ndaj përparimeve turke, politika perëndimore e frenimit ndaj Turqisë nuk u shtri deri vonë në rajonin e Ballkanit. Shtetet e Bashkuara e kanë penguar në mënyrë pro-aktive dhe të dukshme Turqinë e Erdoganit në rajonet e Ballkanit dhe Egjeut, që kur mori detyrën administrata Biden, duke zgjeruar politikat e kontrollit ndaj Turqisë të miratuara nga administrata Obama.

Kohët e fundit, zyrtarët amerikanë njoftuan ndërtimin e një baze ushtarake në qytetin bregdetar grek të Aleksandropolis në detin Egje, 40 kilometra larg kufirit turk dhe Ngushticës së Bosforit. Edhe Franca njoftoi nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë me Greqinë kundër ambicieve turke në rajonin e Mesdheut Lindor, dhe të një mosmarrëveshje mbi shtrirjen e Zonave Ekonomike Ekskluzive Turke dhe Libiane (ZEE) në kurriz të ZEE-së së Greqisë dhe BE-së.

Po ashtu, Uashingtoni gjithashtu ka ndërhyrë në mënyrë agresive në teatrot politike në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me aktivitete që kryesisht i kundërvihen aleatëve të Erdoganit. Prandaj, është e pamundur të mos shihet ndonjë depërtim kuptimplotë i politikës së jashtme turke në zonën e Ballkanit pa sfondin kontekstual të politikës turke të kontrollit nga aleanca SHBA-BE.

Kjo politikë mund të vazhdojë derisa të vijë në pushtet një regjim më i favorshëm pas zgjedhjeve të vitit 2028 në Turqi. Politika SHBA-BE në Ballkan u bë e dukshme në maj të këtij viti, kur partia boshnjake pro-Erdogan, SDA, u largua nga qeveria nëpërmjet një vendimi të firmosur nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë.

Ajo që ndodhi më pas në Kosovë, e konfirmoi politikën e frenimit parandalues ​​të Turqisë. Për të fituar ndikim mbi cënimin e sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë në zonat e saj veriore me shumicë serbe, Kosova bleu së fundmi dronët “Bayraktar” nga Turqia. Kjo lëvizje i ka dhënë kryeministrit Albin Kurti më shumë hapësirë ​​për të manovruar në përpjekjen e tij për të zgjeruar kontrollin e qeverisë mbi zonat separatiste me shumicë serbe në veri të vendit, e cila mbështetet, në mos po udhëhiqet nga Serbia fqinje.

Megjithatë, besimi i ri dhe veprimi i pavarur i qeverisë së Kosovës, nuk u ka pëlqyer zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së. Tensionet kulmuan me kërcënim publik të ambasadorit amerikan në Kosovë për ta ulur statusin e Prishtinës në atë të Palestinës në rastin më të keq të Republikës Turke të Qipros Veriore, një referencë e qartë për statusin e vendit me shumicë myslimane të Kosovës dhe lidhjet me Turqinë.

Vendi i tretë me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor është Shqipëria, lidershipi politik i së cilës e ka dëshmuar besnikërinë e tij ndaj aleancës transatlantike në Ballkanin Perëndimor aq thellësisht, sa që kryeministri (jo-mysliman) i Shqipërisë, Edi Rama, është distancuar nga Kurti, duke u bashkuar me diplomatët e SHBA-së dhe BE-së, për të denoncuar përpjekjet e tij për të marrë kontrollin e rajonit separatist të veriut të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe BE, po punojnë për të parandaluar zgjerimin e ndikimit të politikës së jashtme turke në shtetet me shumicë myslimane të rrethuara nga kufijtë e shteteve anëtare të BE-së. Një kufizim i mundshëm i reagimit të Turqisë është gjeografia. Kjo e fundit nuk ka opsionin e kontaktit të drejtpërdrejtë as me Bosnjen dhe as me Kosovën, pasi të dy shtetet nuk kanë qasje në det.

Në rastin e Bosnjes, ekziston vërtet një brez i vogël i vijës bregdetare sovrane, por shteti nuk e kontrollon plotësisht atë. Kjo u pa në vitin 2014 kur një anijeje detare turke iu mohua qasja nga pala kroate. Nga ana tjetër, Kosova mund të kompensojë mungesën e vijës bregdetare nëpërmjet Shqipërisë, e cila të paktën tani për tani, është e pozicionuar në kampin SHBA-BE.

Reagimi i Turqisë (nëse do të ketë) mbetet për t’u parë. Një opsion i mundshëm është që Ankaraja të mbështesë financiarisht dhe politikisht partitë në Bosnje që konkurrojnë për mbështetjen e shumicës myslimane, duke përfshirë çdo aleat tjetër që është mënjanuar nga politikat e fundit SHBA-BE në Bosnje.

Në Kosovë, Turqia mund të mbështesë Kurtin duke i siguruar armatim më të avancuar për të shfrytëzuar pozicionin e tij, duke i dhënë Kosovës vetë-mbështetje për mbrojtjen e saj territoriale, një barrë që qeveritë perëndimore e bartin përmes misionit KFOR.

Nga ana e tij, nëse mbrojtja e vendit nuk do të varej nga një angazhim amerikan apo evropian, Kurti do të kishte shumë më tepër hapësirë ​​për të manovruar. Në Shqipëri, Turqia mund të financojë opozitën kundër Ramës për të afruar politikat e sigurisë së Shqipërisë dhe Kosovës në frymën e bashkëpunimit mbarëshqiptar.

Në të gjitha rastet, Turqia mund të përdorë ankesat kombëtare dhe fetare për të fituar më shumë ndikim. Ndoshta në aspektin më strategjik, Turqia mund të nxisë edhe aleanca me shtetet me shumicë jomyslimane si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilat ranë viktimë e raundit të fundit të politikave SHBA-BE që kërkojnë një zbutje të toneve me Rusinë, dhe që tani e gjejnë veten pa një mbështetës.

Në këtë drejtim Turqia ka disa opsione. Megjithatë, ajo duhet të vendosë nëse dëshiron apo jo që të përfshihet në mishmashin ballkanik. Aleanca SHBA-BE e ka bërë atë një betejë të vështirë që në fillim. Tani, topi është qartazi në fushën e Turqisë dhe Erdogan, që duhet të vendosë se çfarë loje do të luajë. / “National Interest”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Letrat nga Izraeli dhe Turqia

Albin Kurti, në një udhëkryq diplomatik


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!