MENU
klinika

ERE do të lerë në fuqi tarifat aktuale

Çmimi i energjisë nuk ndryshon

15.12.2023 - 15:02

Çmimi i energjisë elektrike dhe tarifat e shpërndarjes nuk do të ndryshojnë, ndonëse rikthimi i tarifimit me fasha ishte një alternativë e diskutuar gjatë këtij viti. Enti Rregullator i Energjisë, në mbledhjen e radhës pritet të lerë në fuqi çmimet ekzistuese të shitjes me pakicë të energjisë elektrike, si dhe tarifat që paguhen për shpërndarjen, sipas vendimeve të miratuar vitin e kaluar. Kjo do të thotë se abonentët familjarë do të vijojnë të paguajnë 9.5 lekë/kWh, pa TVSH apo 11.4 lekë/kWh, me TVSH. Sa i takon tarifave të shpërndarjes, ato janë pjesë përbërëse e çmimit final të energjisë, teksa vitin që shkoi pësuan rritje, duke prekur kryesisht bizneset në tregun e liberalizuar. Për klientët e lidhur në tensionin 35 KV tarifa shkoi 1.55 lekë/kWh, nga 1.5 lekë/kWh që ishte më parë, ndërsa për abonentët e lidhur në tensionin 20, 10 dhe 6 KV tarifa e re u përcaktua në 3.99 lekë/kWh nga 3.9 lekë/kWh që ishte. Rritjen më të madhe e pësoi tarifës së shpërndarjes së energjisë elektrike për klientët e lidhur në tensionin 0.4 KV, nga 4.79 lekë/kWh, në 6.42 lekë/kWh. Në këtë tension bëjnë pjesë edhe abonentët familjarë, por në atë kohë tarifa nuk impaktoi çmimin final për këtë kategori, pasi kostot u përballuan nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, teksa ishte Operatori i Sistemit të Shpërndarjes që realizoi më shumë të ardhura.