MENU
klinika

Nga Bedri Islami

A do të realizohet profecia e Moikom Zeqos mbi “vdekjen e bardhë” të partive të mëdha?

30.08.2022 - 22:02

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Sido që vendosë gjykata e Tiranës, mbi qenien ose jo të Sali Berishës kryetar i PD-së, faktikisht ai është dhe do të mbetet, edhe nëse vula, firma dhe ana ligjore nuk do të jetë e tij. Është në ato rastet kur drejtimi nuk varet nga vendimet gjyqësore, por nga zhvillimet politike. Militantët rreth tij janë entuziastë, kështu kanë qenë gjithnjë, drejtimi tij është i hekurt dhe limontia e kohës së Bashës është larguar, të paktën tani për tani.

Çfarë do të ndodhë në të ardhmen?

PD është tashmë përballë faktit real, e ndarë në dy fraksione, njëri më i fuqishëm në bazë dhe tjetri më i ndjeshëm në lidershipin e saj; njëra pjesë ka pas vetes më shumë njerëz,  por asnjë përkrahje perëndimore, me kryetarin faktik të shpallur dy herë i padëshiruar nga dy shtetet më të fuqishme anglo – saksone, pjesa tjetër, megjithëse e ftuar në bankete, pritje zyrtare, takime kokë më kokë me të dërguar të posaçëm, e quajtur e moderuar, ka heshtur në bazë, por nuk është shuar.

Përballë kanë zgjedhjet vendore. Nuk është e largët dita. Shumica qeverisëse ka filluar të projektojë çdo gjë, të skicojë gjërat që do të bëjë, njerëzit që do të kontaktojë, vendimet që do e shoqërojnë, të fuqishmit që mund të ndikojnë, zonat ku janë të bindur se fitojnë dhe të tjerat ku kanë dyshimet e tyre.

Opozita nuk e ka luksin ta bëjë këtë. Udhëtimet e Berishës në qarqe dhe qytete mund të ndezin shpresën te disa njerëz, por nuk kanë fuqinë të ndezin zjarrin. Njerëzit që e shoqërojnë Berishën, përgjithësisht, kanë mbi vete mëkatet e të shkuarës. Të njohur në kohën e qeverisjes, apo edhe më vonë, të përfshirë në skandale financiare, pa ide zhvilluese, mediokër në politikë dhe të bindur në qëndrime, nuk ngjallin shpresë dhe nuk ka frymëzim për të ardhmen. Ekipi drejtues në qendër është ndoshta më i dobëti që ka pasur në fushë lojën e saj Partia Demokratike. Me përjashtime të veçanta, ata e kanë humbur ndikimin në zonat e hershme. Nëse drejtuesi politik i qarkut të Vlorës mund të mbledhë rreth vetes intelektualë, nga të gjitha fushat, njerëz të njohur dhe figura politike të opozitës në tri dekada, në Shkodër, për shembull, ndodh krejt ndryshe. Askush nuk e ka më autoritetin e PjetërArbnorit apo të Helidon Bushatit dhe të tjerët që ishin mes tyre apo pas tyre, janë në përgjithësi emra të humbur, ose që janë larguar të dëshpëruar nga opozita e tanishme.

Shpresa se bashkimi me Partinë e Lirisë mund të plotësojë boshllëqet e krijuara është shpresë e kotë. Ilir Meta është kërkon një kashtë që të shpëtojë veten dhe nuk ka as ngenë, as forcën dhe as zërin – sado që bubullin, të shpëtojë të tjerët. Në të kundërtën, sa më e afërt do të jetë aleanca mes PD-së së Berishës dhe PL së Ilir Metës, aq më të turbulluara do të jenë ngjarjet dhe aq më shpejt do të jetë shkrirja e PD-së, ose kalimi i saj në forcë të parëndësishme. Ilir Meta është njeriu i skandaleve të mëdha të politikës dhe tipizimi i njeriut pa karakter politik, në lëvizjet e të cilit, nga e majta ekstreme, në të djathtën nacionaliste – pa ide kombëtare, ka qenë themeltare interesi financiar dhe pasuria e tij vetjake, që sot është e pallogaritshme. “Qeni i keq, të sjell ujkun në vathë” – thonë drenicakët, por kjo është diçka që mund të justifikohet, nga që të dy liderët e sotëm të opozitës, në luftë të heshtur me njëri tjetrin, se kush do të marrë bajrakun e saj, më shumë shikojnë nga njëri tjetri, kur të dy së bashku bërtasin kundër Edi Ramës.

Shtatori është në prag. Është paralajmëruar dhjetëra herë se do të jetë muaji kataklizëm – i përmbysjes së qeverisë Rama, rrëzimit të saj, zgjedhjeve të reja politike, krijimit të qeverisë teknike, pa Edi Ramën, zgjedhjet parlamentare para atyre vendore, hedhjes së Edi Ramës në lumin e Lanës, shumica në kabinetin qeveritar do të shkojë në burg, do të marrë fund aleanca e qelbësirave, pushteti do i delegohet popullit përmes referendumit – ora e Ilir Metës ka mbetur këtu dhe kur ia përforcon edhe Gimi i Puros, Agim Nesho, atëherë tragjikja e Metës kthehet në komiken e Gimit; pra, sipas deklaratave politike të dyshes opozitare, shtatori do të jetë i zi për qeverisjen dhe i bardhë për opozitën.

Shtatori do të vijë. Njerëzit do të kthehen nga pushimet. Qeveria do të vazhdojë të japë tenderë enigmatikë, ku çmimi për kilometër shtohet sipas njohjes së oligarkut me ministrin e radhës; PPP-të do të kenë përsëri pjesën e luanit në buxhetin e shtetit, borxhi publik do të rritet, të ardhurat nga emigracioni do të kenë fazën e tyre të pushimit, çmimi i energjisë elektrike do të rritet, pagat nuk do të rriten, biznese që do të dështojnë do të ketë, biznese të tjera do të hapen, të gjitha do të ndodhin.

Po pastaj?

Përgjithësisht ne jemi një popull që nuk protestojmë kur na ka shkuar thika në ashtë, por kur ashti i politikanëve ka shkuar te thika. Tek ne e ka më lehtë, sepse qafa jonë është holluar; tek politikanët është e kundërta, qafa e tyre është trashur e nuk mban më.

Ata që do e prishin protestën, janë pikërisht ata që do e thërrasin. Si ka ndodhur gjithnjë. Njerëzit e politikës. Sepse pas tyre ata do të shohin pushtetin, ndërsa vegjëlia mbi jetesën. Ka një dallim të madh mes atyre që duan pushtetin dhe atyre që duan të mbijetojnë. Të parët e ndjekin revoltën deri në çastin e pushtetit, të dytët nuk e kanë kurrë çastin e tyre.

Pas shtatorit do të vijë muaji tetor. Qeveria nuk do të bjerë, por do të bëjë nga halli disa lëshime financiare dhe tek-tuk, ndonjë lëshim politik, por edhe kësaj radhe, jo përmes protestuesve, por përmes të moderuarve në vetë opozitën, që kur ishin liderë realë, nuk ndryshonin nga këto që janë sot ballë tyre.

Edhe nëse Berisha do të synojë, ta zëmë, edhe do ta marrë pushtetin, përmes skenarit të ngjashëm të shtatorit 1998, do të pushtojë institucione, do të rrëmbejë mjete të blinduara, do të dërgojë emisarë në dhjetëra televizione, publik apo privat, të bëjë thirrje se pushtetin e morëm. Përsëri do të ketë një telefonatë nga larg, qoftë në të folurën e shqiptarëve të Malit të Zi, që do i thotë “tërhiqu”, ose në një anglishte të pastër, që nuk do të jetë kaq e zbutur.

Nëse protestat do të jenë të dhunshme, do të përshpejtohet fundi politik i atyre që e nxitin. Dhe nuk do të jetë fund i zakonshëm, me të drejtë rikthimi. Të gjithë ata që besojnë se çështja Meta u hap se ia deshi qejfi ose nga guximi i Arben Krajës, janë miopë dhe nuk duan të shohin. I.M/ e di fare mirë se, qoftë me “j” në fund të mbiemrit të tij, qoftë pa “j”, qoftë “Meta”, si ka nënshkruar aktet presidenciale, qoftë “Metaj” si ekziston në dosjet e përfolura, institucionet ndërkombëtare e dinë fare mirë se cili është. Ashtu si edhe Berisha, problemin ai nuk e ka me institucionet shqiptare, apo me njerëzit brenda opozitës, që thuhet se kanë përgatitur shumë shpejt dosjen e ish-shefit të tyre dhe kanë ndihmuar në të dytin, por me institucionet ligj zbatuese përtej Atlantikut e përtej La Manshit.

Sa do të zgjasë besimi ndaj tyre? Askush nuk e di. Është e vërtetë se aktualisht linja antiamerikane në politikën shqiptare është në kulmin e saj, por më tej nuk do të shkojë. Të lodhur nga qeverisja e Ramës, që edhe në tretën herë radhazi bën gabimet e herës së parë dhe fajin e gjen tek e djeshmja, ata do e ndjekin Berishën deri ku do i çojë halli i tyre, por jo deri kur do t’i tërheqë halli i shefit apo i familjes së tij.

Të tilla thirrje, plot pathos dhe melankolike njëkohësisht bënte çdo tre muaj Lulzim Basha, sa herë që kthehej nga pushimet në Holandë, ose në pragun e çdo kollofitje të një vile të re; për më tepër as nuk jepte llogari se e kujt ishte, dhe shteti i binte në gjunjë me heshtje, sepse ai i kishte rënë në gjunjë shtetit për një grusht para, që në fakt ishin miliona. Edhe atëherë bëheshin protesta, kishte dhunë, gaz lotsjellës, përleshje, zjarr, bomba molotovë, të plagosur, një zyrtar i lartë që rrëzohej tek ikte, qeveri që përqeshte, ministër të brendshëm që i hipi në mendje të kishte gjeste napoloniane dhe gati e besoj rikthimin e tij; kishte gjithçka, por nuk kishte ndërrim pushteti. Çfarë mund të bëjë më shumë Berisha dhe Meta. Natyrisht, ata më shumë frymëzim, bile, krejt tjetër frymëzim, por nuk kanë cak të ndryshëm. Edhe, nëse do të kishin të drejtë, dhe qeveria e tashme ka shenja të mëdha korruptive, është bërë e pandjeshme dhe shpesh herë të duket si uzurpuese, përsëri ajo është legjitime, për deri sa ka fituar zgjedhjet, është njohur ndërkombëtarisht, ka krijuar shtabin e vetë qeverisës, është pritur si e tillë dhe është plot fuqi për të vendosur si e tillë.

Pas çdo zgjedhje politike, sa herë që opozita ka humbur, ka qenë e njëjta alibi: na i kanë vjedhur zgjedhjet, mafia politike, oligarkët, shteti etj., saqë edhe sikur të jenë të vërteta, janë bërë të pabesueshme. Sepse nuk mund të besohet për ndershmëri në zgjedhje Berisha i vitit 1996, apo edhe më tej, Berisha i vitit 2009, që pas kërkesës së opozitës për rinumërim të votave vetëm në disa qendra votimi, në mënyrë krejt antiligjore, dogji të gjitha fletët e votimit në një përrua të tharë, si sinjal se unë ju djeg të gjithëve. Nuk mund të besohet Ilir Meta për ndershmëri në zgjedhje politike, kur ai ishte vjedhësi i dytë i madh i zgjedhjeve, pas Berishës dhe një hap para të tjerëve. Njeriu që bleu mediat, përfitoi marrëzisht nga hapësirat e Kodit Zgjedhor edhe votat e partive të vogla, me katër deputetë mori 25 për qind të pushtetit, duke e kthyer qeverisjen në zhvatje, tani befas, pasi agjëroi 29 ditë, po e çel të tridhjetën.

Nëse, pas gjithë atyre që do të ndërmarrë opozita dhe humbjeve në zgjedhjet vendore, njerëzit do të kenë ende besim se liderët e vjetër, që u konvertuan si të rinj, mund të bëjnë çudira, kjo do të jetë gjëja më e paarsyeshme, por që mund të ndodhë. Jetojmë në Shqipëri. Natyrisht opozita do të fitojë më shumë në zgjedhjet vendore se katër vite më parë, pasi çdo gjë është më shumë se zero, por a do të mund të përmbysë qeverinë, kur edhe vetë kryeministri është i lodhur, por dihet, godinat e mëdha në rrëzimin e tyre janë më të rrezikshme dhe më të efektshme.

Çfarë do të ndodhë me opozitën?

Do të mbijetojë ajo? Cili krah i saj do të shuhet? Pas arrestimit të mundshëm të Ilir Metës, çka pritet se mund të ndodhë, do të ishte i natyrshëm hetimi ndaj bëmave të tij e jo vetëm të tij, çfarë do të ndodhë me opozitën në përgjithësi dhe me partinë e Jalës në veçanti? A do të jetë në gjendje zonja Kryemadhi të rimarrë partinë, e, edhe më tej, të vazhdojë operacionet e saj zbukuruese, bizhutë e saj mijëra eurosh dhe të flasë për varfërinë?

Në politikë është e vështirë të bësh “Kasandrën”. Askush nuk do e kishte menduar, 30 vite më parë, edhe më pesimisti i mundshëm, se kjo kohë e tashme do të ishte kaq e përmbytur nga nepotizmi, hajdutëria dhe mungesa e jashtëzakonshme e vlerave dhe e ndjenjës së përgjegjësisë; po aq sa nuk do e kishte menduar se, në skakierën e shahut lëvizin po të njëjtët mbretër e ushtarë, të njëjtët formacione politike; nuk do e kishte menduar se ata që na qeverisen dhe që na qeverisin nuk demonstrojnë as kreativitet, as guxim e aq më keq, as lidership.

Megjithëse në regjistrin e Ministrisë së Drejtësisë janë të regjistruara më shumë se 100 parti politike, gjithçka sillet rreth tri prej tyre dhe ndonëse kemi dhjetëra e dhjetëra drejtues partish, bota politike shqiptare, në 30 vite, sillet rreth fare pak emrave, sa që shpesh herë nuk i kalojnë as gishtat e njerës dorë. Më shumë se hapësirë e mendimit politik, qoftë edhe ndryshe brenda tyre, partitë politike janë kthyer, disa që nga fillimi e të tjera më pas, në detashmente politike të liderëve të tyre; janë pjesë shpesh herë e pa pyetur për asgjë dhe e numëruar si turmë, nga e cila nuk është e vleshme as mendimi i saj politik, as jeta dhe as idetë që mund të kenë.

Sa më të egërsuar shfaqen politikanët me njëri tjetrin, aq më tepër nxitin ndarjen; sa më të pasur bëhen ata, aq më e thellë bëhet humnera mes tyre dhe njerëzve; sa më dëshmuese është harbutëria e tyre, aq më tepër e ul kokën partia që i mban si liderë.

Fakt është se, pas 30 viteve jetë plurale, pluralizmi i ideve, vizioneve, mendimit dhe alternativës është i barabartë me zero, e për të përsëritur njërin nga këto liderë, është “zero me xhufkë”.

Edhe pas 30 viteve jetë plurale dhe drejtim nga një grusht dorë politikanësh, më të shumtët harbutë dhe hajdutë të klasit të lartë,përsëri e keqja gjendet tek Enver Hoxha dhe regjimi i tij, kur të gjithë ata, sëbashku, nuk kanë ngritur as një të dhjetën e uzinave, hidrocentraleve, kombinateve dhe ndërmarrjeve të mëdha që ngriti pushteti i së djeshmes. Megjithëse pluralizëm i shpallur, lufta brenda llojit është e egër, me pasoja, dërmuese; mendimi ndryshe shpallet tabu, bartësi shpallet armik, i mallkuar, nisin fushatat denigruese, i hapen të gjithë fletët e jetës së fisit të tij, edhe nëse i ka të vyera, i zezohen.

Mund të vazhdojë Shqipëria të qeveriset nga njerëz që e mbajnë veten për Skenderbe, dhe sot kemi të paktën dy të tillë, që e krahasojnë shtatin e tyre me atë të Mic Sokolit, Vojo Kushit, që mendojnë se pas tyre, le të bëhet qameti në këtë vend; nga liderëth, të cilët, pasi komandohen të drejtojnë, kujtojnë vërtet se kanë lindur për të qenë shefa qeverie, nga “burrnesha”, që edhe burrit të vet ia fshehin të vërtetat, ashtu si kishte nga ata që mburreshin duke thënë se prapa na vjen historia”? Cila histori? E atyre që më parë mendojnë ikjen se sa ringritjen? Që fëmijët i kishin dhe i kanë sekserë me çanta në duar? Që pinjollët i kanë dërguar në shkollat më të shtrenjta të Europës dhe, për më tepër, me shoqërues? Që ndërtojnë vila, qofshin moderne, qofshin si bunkerë dhe askush nuk e di se si u vendos tulla e parë dhe tjegulla e fundit?

Në fund të fundit, a do të ketë shkërmoqje, apo si e quante me të drejtë eruditi Moikom Zeqo, vdekje të bardhë të këtyre partive politike?

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN