MENU
klinika

Nga Denis Dyrnjaja

Doktor Berisha kujdes kokoshkat!

22.12.2023 - 18:16

Po nëse gjykata e shpall të pafajshëm Sali Berishën?! Kjo pyetje më erdhi në kokë ndërsa po ndjek reagimet e përditshme të doktorit ndaj drejtësisë, që e ka thirrur në apel njeriun që drejtësinë e ka përdorur dhe konsideruar si instrument në duart e tij për shumë vite me radhë. Në drejtësi ekziston parimi i prezumimit të pafajësisë, që do të thotë se çdo person nën akuzë konsiderohet i pafajshëm deri në dhënien e një vendimi te formës së prerë (përfundimtar) nga të gjitha nivelet e gjykatave. Thënë kjo edhe Sali Berisha dhe çdo person tjetër nën akuzë mbetet i dyshua, por jo i fajshëm për sa kohë gjykata nuk e ka shpallur të tillë.

Çështja është se që kur Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi procedimin penal për korrupsion pasiv ndaj ish Presidentit dhe ish Kryeministrit të vendit e dhëndrit te tij Jamarbër Malltezi, Sali Berisha ka nisur një sulm politik frontal gati të përditshëm ndaj organeve të drejtësisë. Për rrjedhojë në këtë fushatë janë përfshirë edhe idhëtarët e tij në parti sikurse bëjnë gjithnjë në bazë te parimit doktori ka gjithnjë të drejtë dhe ajo që mendon doktori është ashtu si e mendon, shpreh e mbron ai. Nëse ndjek gjuhën verbale sulmi ndaj institucioneve të drejtësisë dhe individëve të tyre është tipik bolshevik, paragjyues, me kontekst biografik njësoj si në kohën e diktaturës deri në nivel linçues. Sigurisht sipas Berishës dhe mbështetësve të tij, pas këtij skenari të mirëorganizuar qëndron Edi Rama. Asgjë e re deri këtu nga mënyra, forma dhe përmbajtja e këtij qëndrimi. Për profilin dhe me mënyrën e mendësisë së Berishës është gjithçka brenda logjikës së tij politike. Pra Edi Rama është skenaristi gjithçkaje dhe çdo komploti ku implikohet edhe drejtësia për të asgjesuar politikisht kundërshtarin e tij. Ajo që e bën te nxituar dhe që mund te nxjerrë blof Berishën është versioni që gjykata mund ta shpallë të pafajshëm Berishën dhe këtu pastaj skenari i tij do të zhvlerësohej e tretej si kripa në ujë.

Pra meqë jemi në këtë rrafsh supozimi, shtrohet pyetja: nëse Berisha shpallet i pafajshëm, është Edi Rama ai që ka urdhëruar pafajësinë e tij apo gjykata?! Se i bie të falënderojë Edi Ramën publikisht pastaj për avokaturën falas që e shpëtoi nga burgu. Ndaj emotiviteti i parakohshëm dhe paragjykimi gati gati i frustruar i Berishës dhe mbështetësve te tij duhet të ndalet ose minimalisht të jetë i përmbajtur. Ndryshe i bie që e gjithë ky reagim tregon në realitet panikun e brendshëm nga e vërteta që Berisha e di më mirë se ne si qëndron .Dhe për ta mbyllur dhe ç’dramatizuar argumentin që herë herë shfaqet si paranojë groteske po tregoj një histori disi sarkastike. Goni blinte çdo ditë shumë kokoshka për t’i patur deri natën vonë kur shihte filma aksion. Një natë kokoshkat mbaruan më shpejt dhe Gonit i filloi stresi. Njëkohësisht kërkonte zgjidhje. Dhe mendoi t’i kërkonte komshiut të tij që njëlloj si ai konsumonte kokoshka duke parë TV.

Ora ishte e vonë dhe ndërsa ngjitej për të shkuar te komshiu Goni u përfshi nga paranoja do më japë apo s’do më japë komshiu kokoshka?! Dhe hera herës ndërsa ngjiste katet mendonte se si do ndjehej nëse fqinji do t’i thoshte si mund të vish në këtë orë te vonë të natës në derën time për kokoshka? Dilema shtohej e bashkë me të edhe paranoja e një lloj dufi se do gjendej në një situatë të papërshtatshme. Sakaq Goni mbërrin në derën e komshiut dhe troket. Dera hapet dhe papritur përgjigjen e fqinjit i cili se dinte fare përse trokiti ne atë orë në derën e tij, Goni shpërthen: të kam dhjerë m’u në kokoshka e m’u në komshillëk. Kështu është dhe kjo puna e doktorit me drejtësinë. Ai po shpërthen para kohe ndaj gjykatës e drejtësisë pa ditur se çfarë ajo do të vendosë ndaj tij. Ndaj këshilla e vetme e vlefshme në këtë rast do ishte: Doktor ruaj kokoshkat e dufin për në fund se nuk i dihet!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Denis Dyrnjaja

SPAK-u si portal mediatik!