MENU
klinika

Shkaku pse shfaqen

Gjendrat e fryra në qafë; Si ta kuptoni nëse i keni

26.12.2023 - 16:56

Sapo vjen muaji dhjetor, me siguri çdo tështitje apo bllokim i hundëve ju vendos në siklet. Kjo për shkak se mund të jetë grip por mund të jetë edhe Covid apo edhe ftohje e zakonshme. Të gjitha këto mund të duken të ngjashme për sa i përket simptomave, mirëpo një simptomë tjetër që e kanë të përbashkët është edhe fryrja e gjëndrave në zonën e qafës.

Për të qenë të qartë, gjëndrat e fryra nuk janë në të vërtetë gjëndra – termi në të vërtetë i referohet nyjeve limfatike, të cilat janë pjesë e sistemit limfatik të trupit që ju ndihmon të luftoni infeksionet dhe sëmundjet e tjera. Dhe ndërsa gjëndrat e fryra mund të jenë një simptomë, ato janë në fakt një gjë e mirë sepse tregojnë se trupi juaj po lufton me diçka që nuk i pëlqen.

Cfarë janë këto gjëndra në qafë – dhe si mund ta dalloni nëse ato janë të fryra?

Pra, gjëndrat e fryra në qafë nuk janë teknikisht gjëndra – ato janë nyjet limfatike të vendosura atje, dhe termi mjekësor për nyjet limfatike të fryra është limfadenopati.

Në përgjithësi, nyjet limfatike janë një pjesë e rëndësishme e sistemit tuaj imunitar; ato ndihmojnë në njohjen dhe luftimin e mikrobeve ose substancave të tjera të huaja. Trupi juaj është në të vërtetë plot me këto nyje limfatike. Megjithatë, jo të gjitha këto nyje limfatike mund të duken apo mund ta ndjeni se i keni. Zonat më të zakonshme ku nyjet limfatike mund të ndjehen me gishta janë zona e ijeve, në sqetull dhe në qafë.

Nyjet limfatike janë normalisht me madhësi bizeleje ose fasuleje, por kur janë të fryra, ato mund të zmadhohen dhe të shkaktojnë shqetësim në zonën ku ndodhen, më shpesh ndodh të fryhen në qafë.

Çfarë e shkakton ënjtjen e gjëndrave në qafë?

Kur nyjet limfatike fryhen në qafën tuaj, është një shenjë se ato janë përpjekur t’ju mbrojnë. Ënjtja ndodh si rezultat i qelizave shtesë të gjakut që vijnë në këtë zonë për të luftuar infeksionin.

Nyjet limfatike të fryra në qafë ka mundësi të tregojnë se jeni ftohur, ose keni marrë një virus ftohjeje në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Këto gjëndra tregojnë se sistemi imunitar i trupit po lufton infeksionin viral.

Përveç viruseve të ftohjes në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, nyjet limfatike mund të zmadhohen edhe për shkak të sëmundjeve të tjera si:

Ftohja dhe gripi

Streptokok në fyt

Infeksionet e sinusit

Dëmtimet e lëkurës

Mononukleoza

Në raste të rralla, nyjet limfatike të fryra mund të jenë një shenjë e kancerit – veçanërisht limfoma, një lloj kanceri që prek sistemin limfatik. Disa infeksione bakteriale, infeksione seksualisht të transmetueshme ose sëmundje autoimune mund të shkaktojnë gjithashtu ënjtje të nyjeve limfatike, por në këto situata, ju do të keni ënjtje të nyjeve limfatike në zona të shumta të trupit tuaj, dhe jo në një zonë të lokalizuar si qafa.

A mund të bëjmë diçka për t’i shëruar këto gjëndra të fryra në qafë dhe kur duhet të shkojmë tek mjeku?

Meqenëse nyjet limfatike të fryra janë shpesh shenjë e një ftohjeje ose një virusi tjetër, përgjigja për trajtimin e tyre mund të jetë shumë e thjeshtë: pushoni derisa të kalojë e ftohura. Është vetëm koha që mund të ndihmojë në përmirësimin e simptomave të gripit apo ftohjes.

Megjithatë, ju mund të merrni medikamente të caktuara pa recetë për të lehtësuar ënjtjen, të tilla si ibuprofen ose ilaçe të tjera anti-inflamatore josteroide që përdoren për të trajtuar dhimbjen dhe inflamacionin. Nëse doni një trajtim të mëtejshëm duhet patjetër që të konsultoheni me mjekun tuaj.

Por për shkak se nyjet limfatike të fryra rrallë mund të tregojnë për një problem themelor më serioz, në disa situata duhet të shkoni tek mjeku. Kur nyjet limfatike në qafë janë të zmadhuara dhe qëndrojnë ashtu për më shumë se shtatë deri në 10 ditë ose nuk keni simptoma të një virusi të ftohjes ose infeksioneve të tjera si streptokoku, është e domosdoshme të flisni me mjekun. Ose në rastet kur një nyje është më e madhe se të tjerat dhe ju dhemb shumë ose ju shkakton vështirësi në frymëmarrje apo në gëlltitje, duhet patjetër të merrni menjëherë një vlerësim nga mjeku.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ndryshimet qelizore, por ndikimet jetësore

Cilat janë simptomat e sëmundjeve autoimune?


Ja çfarë ju duhet për përgatitjet!

Si të ulni tensionin e lartë me metoda natyrale

Gjithçka që duhet të dini!

A është fluori në ujin tuaj i sigurt?

Zakonet e përditshme që mund të jenë arsyeja

Ndiheni të lodhur gjatë gjithë kohës?

Efekt anësor i medikamenteve ose...

Jargët sinjalizojnë sëmundje?