MENU
klinika

Keni dëgjuar për të?

Gratë apo burrat, cilët vuajnë më shumë nga ankthi ekologjik?

06.12.2023 - 08:09

Një sondazh nga kompania e sondazheve dhe të dhënave YouGov zbuloi se ndryshimi më i madh në nivelet e ankthit ekologjik nuk është midis të pasurve dhe të varfërve ose midis të rinjve dhe të moshuarve, por midis burrave dhe grave. Pra, edhe një herë shoqëria përballet me një hendek gjinor.

Ankthi ekologjik, eko-ankthi ose ankthi klimatik – një frikë kronike për shkatërrimin e mjedisit.

Rreth 45% e pjesëmarrëseve gra raportuan nivele të larta shqetësimi për ndryshimet klimatike krahasuar me 36% të burrave. Por, cilat janë arsyet e këtij ndryshimi? Pse gratë janë më të shqetësuara për ndryshimet klimatike, nxehtësinë anormale?

Është fakt se ndryshimet klimatike kanë një ndikim më të madh te gratë. Kjo ndodh sepse fatkeqësitë mjedisore godasin më shumë ata që janë më të shtypur dhe problemet mjedisore përfundojnë duke përkeqësuar hendekun tashmë ekzistues gjinor.

Gratë apo burrat, cilët vuajnë më shumë nga ankthi

Pra, me krizën klimatike do të ketë më shumë gra në varfëri, më shumë gra në rrezik, më shumë gra viktima të trafikimit, më shumë gra të zhvendosura për arsye klimatike (sipas Kombeve të Bashkuara ato janë tashmë 80%). Për më tepër, prania më e ulët e grave në pozitat e pushtetit në botë do të thotë se gratë kanë më pak hapësirë për vendimmarrje për krizën klimatike.

E gjithë kjo, natyrisht, nxit ankthin, por ka edhe arsye të tjera. “Gratë kanë nivele më të larta socializimi në kujdesin ndaj të tjerëve. Të qenit persona me përgjegjësi sociale i shtyn ato që të kujdesen për problemet mjedisore, aq sa janë gati të adoptojnë sjellje të reja për këtë kauzë,” shpjegon për Guardian Rachel Howell, pedagoge në The University of Edinburgh.

Prandaj, ankthi ekologjik është shkaku (por edhe pasoja) e angazhimit të grave për të frenuar krizën klimatike. Hendeku gjinor ekologjik ekziston: gratë, sipas hulumtimeve priren të jenë më të vëmendshme ndaj mjedisit sesa burrat. “Gratë janë shumë më të prekshme ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike, por ne duhet të sigurojmë që përgjegjësia për arritjen e drejtësisë klimatike të kryhet në mënyrë të barabartë për të gjitha gjinitë,” tha për Refinery29 Zara Bending, një studiuese për ligjet mjedisore.

Nëse gratë janë më të shqetësuara, më të zhytura në mendime dhe më të përkushtuara për zgjidhjen e krizës klimatike, ato duhet, të paktën, të fuqizohen për të ndikuar në vendime.

Burimi: Elle