Ish-prokurori i krimeve të rënda, Eugen Beci thotë se vrasja në burgun e Peqinit, ku për autor ka Sokol Mjacajn është kryer në bashkëpunim.
I ftuar në studion e emisionit “Open”, Beci tha se edhe për futjen e armës brenda burgut ka persona të tjerë, të cilët kanë bashkëpunuar, ku nuk përjashtoi edhe përfshirjen e policëve të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit.
Sipas tij, përderisa rezulton se autori me viktimën nuk kanë asnjë lidhje motivi i krimit është me paramendim, mund të jetë me pagesë ose me forma të tjera interesi.
“I dënuari Sokol Mjacaj ka vrarë një person duke gjetur një pistoletë brenda burgut, ka vajtur e ka thirrur siguria në hotel, më thirr pak atë vizitorin e dhomës 102 se dua ti bëj një muhabet dhe të thuash që nuk ka bashkëpunim.
Unë nuk di që në burgjet shqiptare prodhohet revolver, do të thotë që dikush ja ka gjetur dhe ja ka blerë. Nuk di që në burgjet shqiptare revolveri të fluturojë dhe të futet brenda, do të thotë që dikush ja ka dhënë. Nuk do që burgjet shqiptare janë pa polic, do të thotë që ai që e ka futur brenda ka bashkëpunuar me një polic. Të gjitha këto të çojnë në pikëpamjen që minimalisht në veprimet aktive të personit kemi bashkëpunim. Pastaj për të vajtur tek motivi, patjetër që do kesh bashkëpunim edhe për motivin. Përderisa rezulton se autori me viktimën nuk kanë asnjë lidhje të gjitha këto të çojnë në një motiv që është me paramendim, mund të jetë me pagesë, me forma të tjera interesi. Por të gjitha këto kryen në bashkëpunim”, tha Beci.