Ish-kryeministri Sali Berisha ka një javë kohë të përgatitet mbi kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin e deputetit.
SPAK kërkoi autorizim për të vendosur masë arresti ndaj tij për aferën me ish-kompleksin “Partizani” dhe Këshilli i Mandateve do të mblidhet të hënën e 18 dhjetorit në orën 12.00.
Sipas burimeve, Nikolla ka njoftuar pak më parë anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe vetë Berishën për kërkesën e SPAK dhe është vendosur që diskutimi të mbahet të hënën që vjen. Pra duket se Berisha ka afro 1 javë kohë të përgatisë mbrojtjen.
Por cilat do të jenë tani hapat që do të ndiqen?
Është neni 118 i Rregullores së Kuvendit, ai i cili detajon të gjitha procedurat që duhet të ndjekë tani Kuvendi. Sipas këtij neni, Lindita Nikolla duhet të vërë menjëherë në lëvizje Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vërë në dijeni Berishën.
Sipas pikës 2, deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.
Berisha ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.
Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.
Rregulloja përcakton se shqyrtimi i kërkesës vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Vetë Berisha ka të drejtë të marrë fjalën gjatë votimit që do të bëhet në seancë plenare.
Në fund Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës ndaj deputetit.
Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.