MENU
klinika

Jo vetëm pensionistët!

Kush janë kategoritë e tjera që përfitojnë shpërblim këtë fundvit

14.12.2023 - 14:39

Përvec pensionistëve qeveria ka marrë vendimin për të shpërblyer disa kategori qytetarësh dhe familje në nevojë me rastin e festave të fundvitit.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Financave, Ervin Mete, i cili tha se këto kategori do të marrin të njëjtën shumë si pensionistët, pra 5 mijë lekë të reja.

Në këtë paketë përfshihen edhe punonjësit e administratës që janë marrë me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas Metes puna e tyre është vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian. Gjithashtu, ministri u shpreh se ka një mbështetje për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor në një vlerë totale prej rreth 800 milionë lekë.

“Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Aktin Normativ për disa ndryshime të Buxhetit të vitit 2023, me synim kryesor plotësimin e paketës së solidaritetit, pas dy bonuseve të akorduara për pensionistët, plotësimin e kësaj pakete dhe për një sërë shtresash në nevojë.

Paketa përfshin bonuse sociale në të njëjtën masë të shpërblimit që sapo iu akordua pensionistëve për:

64 mijë përfitues të ndihmës ekonomike;
73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë së kufizuar;
36 mijë familje me fëmijë në ndihmë ekonomike;
68 mijë invalidë të punës;
44 mijë përfitues të pensioneve familjare.
Gjithashtu, parashikohet një shpërblim për 1144 punonjës të administratës shtetërore, përfaqësues në takimet bilaterale të zhvilluara në kuadër të procesit të negociatave për antarësim në BE, edhe për shkak të rezultateve të lavdërueshme dhe të vlerësimeve të larta që kanëmarrë edhe nga Komisioni Evropian.

Gjithashtu, ka një mbështetje për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor në një vlerë totale prej rreth 800 milionë lekë.

Ka një mbështetje për të gjitha bashkitë, si një shtesë granti të pakushtëzuar për të adresuar detyrimet e prapambetura. Shtesa totale për të gjitha bashkitë sipas listës së parcaktuar shkon në 2 miliardë lekë.

Gjithashtu, ka rialokime sa i përket shpenzimeve kapitale për financimin e projekteve infrastrukturore, në rrugë e ujësjellësa, duke i dhënë një tjetër shtysë investimeve publike.

Në total rialokimet që shpërndahen me këtë akt normativ janë rreth 20 miliardë lekë, ndërkohë që mbetet i pandryshuar niveli i planifikuar i të ardhurave, si edhe projeksionet për borxhin publik”, tha ministri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Procedura dhe kategoritë që përfitojnë

Pensionet/ Javën e ardhshme nis shpërndarja e shpërblimeve