MENU
klinika

Me plastikë nga lëkura e frutave

Mobiliet ekologjike që mund të riciklohen vazhdimisht

13.12.2023 - 12:30

Imagjinoni një botë ku asgjë nuk përfundon në grumbujt e mbeturinave. Në vend të kësaj, gjithçka mund të ripërdoret dhe riciklohet duke krijuar produkte që nuk e arrijnë kurrë “fundin e ciklit”.

Sipas një raporti të fundit të Circle Economy Foundation, vetëm 7.2% e materialeve mund të ripërdoren dhe riciklohen pa shkaktuar ndotje.

Një kompani nga Milano, Krill Design synon ta ndryshojë këtë duke ndërtuar mobilie të përbëra nga një biomaterial i ngjashëm me plastikën që quhet Rekrill, i cili është tërësisht organik, i biodegradueshëm dhe mund të përdoret sërish.

3 arkitektët që themeluan kompaninë kanë edhe një biznes të printimit 3D. Ata përdorin lëkurën e frutave, farat e portokallit apo llumin e kafesë të mbledhura nga biznese të ndryshme në Itali dhe më pas këto produkte, rikthehen te këto kompani në formën e mobilieve si stol, orë, tas, llampë etj.

“Pas 3-4 vitesh të duhet gjithsesi t’i ndryshosh mobiliet. Por nëse të gjitha mobiliet do të ishin me materialet tona, ne do mund t’i shkërmoqnim dhe të krijonim të tjera me të njëjtin material. Edhe nëse ky i fundit përfundon gabimisht në det, është i biodegradueshëm dhe nuk prodhon plastikë”.

Secili produkt prodhohet përmes 4 hapave. Fillimisht mbetja ushqimore thahet dhe thërrmohet në një pluhur shumë të hollë. Pluhuri bashkohet me një alternativë të biodegradueshme të plastikës, PHB, kthehet në një filament dhe futet në printerin 3D. Printimi ka kohëzgjatje të ndryshme për secilin produkt.

Veç kësaj, mobiliet marrin ngjyrën e ushqimit nga i cili janë prodhuar. Rekrill është po aq rezistent sa druri dhe nuk shkatërrohet lehtë, përveçse nëse ekspozohet ndaj ujit, acidit apo baktereve.

Pavarësisht përfitimeve që i sjell ambientit, ka edhe një anë që mbetet ende problematike: kostoja. Rekrill është 6 herë më i kushtueshëm se plastika.

Kompania po eksperimenton me mbetje të tjera ushqimore si lëvozhgat e vezëve, domatet apo rrushi si dhe po kërkon mënyra që prodhimi i mobilieve të jetë me efikas dhe të ulë kostot.