MENU
klinika

Vendimi

Ndryshojnë kriteret për kompanitë e zgjidhjeve software për fiskalizimin

18.12.2023 - 10:52

Ndryshojnë kriteret teknike për operatorët që ofrojnë zgjidhjet software nëpërmjet të cilave mundësohet lëshimi i faturave të fiskalizuara nga bizneset.

Ndryshimet e miratuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të botuara në vendim në Fletoren Zyrtare përfshijnë detyrimin e kompanive që ofrojnë zgjidhjet software për të deklaruar numrin e bizneseve që kanë instaluar software-in, për certifikimin e operatorëve të rinj të ardhurat vjetore të tatueshme duhet të jenë 14 milionë lekë nga jo më pak se 12 milionë lekë në 3 vitet e fundit që duhet të ishte qarkullimi vjetor për regjistrim.

Ndërsa heqja, shtimi apo ndryshimi i elementeve në faturat e lëshuara nga software-et e certifikuara, vënia në dispozicion apo hedhja në treg nga shoqëritë e certifikuara të software-eve të tjera të pacertifikuara; mosdeklarimi real i numrit të bizneseve pranë të cilave është instaluar software-i; mosdeklarimi real i klientëve, si dhe i vlefshmërisë së kontratave etj., do të konsiderohen shkelje të rënda, me pasojë revokimin e certifikatës.

Ndryshimet në vendimin nr. 239, datë 20.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kërkesat teknike dhe funksionale të zgjidhjes software-ike për procedurën e faturimit dhe të fiskalizimit, si dhe procedurën e kriteret për regjistrimin e prodhuesve e të mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike”, të ndryshuar hyjnë menjëherë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Sipas vendimit të ndryshuar prodhuesit dhe/ose mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike, pas certifikimit duhet të deklarojnë në platformën qendrore të faturave numrin real të bizneseve, pranë të cilave është instaluar software-i, të dhënat identifikuese për klientët, si dhe vlefshmërinë e kontratave të lidhura me ta. Prodhuesit dhe/ose mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike duhet të përditësojnë në vazhdimësi këto të dhëna.

Vendimi i mëparshëm përcaktonte gjithashtu se kërkesat që duhet të plotësonte çdo person juridik që kërkon të certifikohet dhe të regjistrohet në regjistër për të ushtruar veprimtari si prodhues apo mirëmbajtës i zgjidhjes software të kishte realizuar mesatarisht jo më pak se 12,000,000 lekë qarkullim vjetor në 3 vitet e fundit. Në vendimin e ndryshuar përcaktohet se operatori duhet të ketë të ardhura vjetore të tatueshme mbi 14,000,000 lekë.

Në kapitullin për përgjegjësitë e prodhuesve dhe mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike, pas pikës 21 shtohen pikat 21.1, 21.2, 21.3 dhe 21.4, me këtë përmbajtje:

“21.1. Konsiderohen shkelje të rënda, me pasojë revokimin e certifikatës, këto raste: – Heqja, shtimi apo ndryshimi i elementeve në faturat e lëshuara nga software-et e certifikuara; – Vënia në dispozicion apo hedhja në treg nga shoqëritë e certifikuara të software-eve të tjera të pacertifikuara; – Mosdeklarimi real i numrit të bizneseve pranë të cilave është instaluar software-i; – Mosdeklarimi real i klientëve, si dhe i vlefshmërisë së kontratave; – Shoqëritë e certifikuara pas përfundimit të afatit të garancisë nuk e rinovojnë atë në mënyrë të përsëritur; – Shoqëritë e certifikuara e instalojnë software-in në një numër më të madh biznesesh nga sa është vendosur garancia dhe nuk shtojnë vlerën e garancisë; – Kur komisioni i monitorimit, bazuar në informacionet e ardhura nga burimet e ndryshme, pas kryerjes së verifikimeve përkatëse, konstaton shkelje me pasojë revokimin e certifikatës.

21.2. Çdo shkelje tjetër e dispozitave të këtij vendimi, që nuk përfshihet në përcaktimet e pikës 21.1 të këtij vendimi, konsiderohet shkelje e lehtë dhe, në këto raste, komisioni i ngritur sipas pikës 16.2 të këtij vendimi, paralajmëron shoqërinë e certifikuar se, në rast përsëritjeje, do të procedohet me revokimin e certifikatës. Gjithashtu, ky komision ia përcjell këtë informacion tatimpaguesve që rezultojnë se përdorin software-in e shoqërisë, tek e cila janë hasur problematika.

21.3. Në rastet kur komisioni i ngritur sipas pikës 16.2 të këtij vendimi, vendos revokimin e certifikatës, ky vendim hyn në fuqi pas kalimit të një afati 60-ditor (gjashtëdhjetëditor) nga e nesërmja e njoftimit të tij pranë shoqërisë (prodhuesit/ mirëmbajtësit të zgjidhjes software-ike). Komisioni merr masa të menjëhershme për njoftimin e tatimpaguesve, të cilët rezultojnë se përdorin software-in e kësaj shoqërie, për t’u regjistruar pranë një shoqërie tjetër të certifikuar. Brenda afatit 60- ditor (gjashtëdhjetëditor) këta tatimpagues duhet të regjistrohen pranë një shoqërie tjetër të certifikuar.

21.4. Pas revokimit të certifikatës, garancia e vendosur sipas parashikimeve të pikës 9, të këtij vendimi, ekzekutohet menjëherë nga DPT-ja. Tatimpaguesit e përmendur në pikën 21.3 të këtij vendimi, dëmshpërblehen nga DPT-ja deri në masën e garancisë së vendosur nga shoqëria, në përpjesëtim me numrin e bizneseve të regjistruara pranë saj. Procedurat dhe mënyrat e dëmshpërblimit, sipas kësaj pike, rregullohen me urdhër të titullarit të DPT-së. Në rastin e prodhuesve dhe të mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike për përdorim vetjak, si dhe në rastin e bankave të certifikuara në cilësinë e prodhuesve dhe të mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike për regjistrimin e pagesave pa para në dorë të faturave elektronike, garancia kalon në favor të DPT-së”, përcakton vendimi.

Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve deri tani janë të certifikuara 49 kompani për ofrimin e zgjidhjeve software.

Faza I e procesit të fiskalizimit nisi nga 1 janari 2021 për transaksionet mes enteve publike.

Faza II, që nisi më 1 korrik 2021, përfshiu në procesin e ri të faturimit, transaksionin pa para në dorë mes bizneseve. Në këtë fazë u hasën shumë probleme me bllokimin e portalit SelfCare për shkak të mbingarkesës. Në fazën e dytë të fiskalizimit, në muajin korrik ku u rrit numri i bizneseve pjesëmarrëse për faturimin e ri kontabilistët ngritën si shqetësim se disa nga kompanitë e certifikuara për programet software, nuk ishin në gjendje të hartonin faturën në formatin e duhur dhe për të përcjellë të dhëna në formatin e ri. Kompanitë nuk ofronin edhe ndërlidhjen direkte të programeve software me programet e kontabilitetit që përdorej nga shumica e bizneseve.

Faza III dhe përfundimtarja, u konsiderua dhe më delikatja, pasi nga 1 shtatori 2021 u përfshinë në fiskalizim edhe bizneset e vogla për shitjet me para në dorë. Për biznesin e vogël fillimisht qeveria miratoi aktin normativ në ligjin “Për procedurat tatimore” për mos aplikimin e dënimeve administrative deri në 31 dhjetor 2021. Për subjektet e vogla afati i periudhës pa penalitete për fiskalizimin u shty deri më 30 qershor 2022. Periudha pa gjoba deri në fund të qershorit 2022 u zbatua edhe për ndërmarrjet që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e- Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpaguese.

Sipas të dhënave të administratës tatimore deri në prill të 2023 në rang vendi rezultonin të fiskalizuara 108,414 subjekte. Në raport me totalin e bizneseve aktive rezultuan 12% e tyre të pafiskalizuara./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kërkojnë ulje të taksave

Bizneset kundër paketës fiskale 2023

Eksperti fiskal: Të bëhen ndryshime tërësore

“TVSH-ja të shpërndahet në të gjitha hallkat”