MENU
klinika

Braktisja e fshatrave

Në Krinë kanë mbetur vetëm 30 banorë të moshuar

24.12.2023 - 14:56

Fshati Krinë i vendosur mbi faqen e malit të Lunxhërisë shumë pranë parkut arkeologjik të Antigonesë është një prej rasteve ku arkitektura traditcionale po degradon.

Pema e rrapit në qendër të fshatit një monument natyre me status të veçantë dëshmon për ekzistencën e fshatit të paktën për 400 vjet.

Në Krinë tani jetojnë jo më shumë se 30 banorë të moshuar. Zemra e fshatit është kisha e vogël e Shën Nikollës e ndërtuar rreth vitit 1905 me kontributin e banorëve të emigruar. Monumenti me vlera të veçanta shpirtërore dhe të memories historike si ikona, objekte të gdhendura në dru dhe stil tradicional është i shembur pjesërisht ndërsa më parë është grabitur e bastisur disa herë e ka humbur objekte që nga këmbena e deri tek dedikimet që kurbetçinjtë e fillim shekullit të kaluar kishin sjellë nga larg për ti lënë në vendlindje. Tani banorët janë duke kërkuar ndihmë për ta shpëtuar këtë objekt.

“Kisha është ndërtuar me kontributin e fshatarëve që ishin në emigracion në Turqi. Që nga ajo kohë e përdor i gjithë fshati. Ne para 3 vjetësh na ra një pjesë e çatisë dhe morëm disa muratorë dhe me kontributin e fshatit e rregulluam. Tani ka rënë pjesa tjetër. Nuk guxoj t’i le turistët të hyjnë se çatia mund t’ju shembet në kokë”, u shpreh banori Nase Mihali.

“Është shumë e rëndësishme për fshatin. Edhe gjatë komunizmit e përdornim fshehurazi për ritet tona. Sot kisha është në anë të rrugës kryesore që vete në Antigone dhe ka pasur shumë raste jo një e dy që turistët e kanë vizituar kishën por në këto kushte nuk ka më mundësi të vizitohet se çatia është e tillë që nga çasti në çast mund të shembet e tëra”, u shpreh një banore tjetër Mina Koti.

“Ne kërkojmë që ti bëhet kishës një çati e re. Nuk duam ndonjë gjë të madhe. Duam ta mbështesim vetë por me çfarë me një pension 100 mijë lekë”, u shpreh banori Vasil Kosta.

Kisha gjysmë e rrënuar i shërben ceremonive fetare dhe turizmit. E vendosur buzë rrugës drejt parkut të Antigonesë ajo vizitohet nga dhjetëra turistë.

Komplekset arkitekturore të fshatrave të vegjël kodrinorë të Jugut po pësojnë dëmtime serioze ndër vite duke rrezikuar humbjen e autenticitetit, memories historike dhe vlerave shpirtërore. Përveç qendrave të fshatrave, kishave të vogla, objekteve të tjera të kultit, shkollave, rrugëve të brendshme është duke humbur edhe stili tradicional i çative, oborreve, portave dhe çezmave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Blegtoria në rënie të vazhdueshme në Shqipëri

Braktisja e fshatit çojnë në tkurrjen e numrit të krerëve