MENU
klinika

"Po krijoni precedent të rrezikshëm"

Olaf Scholz “shuplakë” Athinës për Belerin: Mos krijoni pengesa për Shqipërinë!

13.12.2023 - 18:55

Gjermania i ka dhënë goditje të fortë Greqisë sa i takon bllokadës ndaj Shqipërisë. Athina ka vendosur veton për hapjen e kapitujve të integrimit për shkak të çështjes “Beleri”, por për Berlinin kjo nuk është normale.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor tha se prej 20 vjetësh, vende si Shqipëria, Bosnja-Herzegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje për t’u bërë pjesë e BE-së dhe shtoi se tani ka ardhur koha që të gjithë të shohin panoramën e përgjithshme, si kandidatët, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së.

“Nuk ka pse çdo vendim, si çelja apo mbyllja e kapitujve të negociatave, të varet nga çdo vend anëtar. Nëse vende, si për shembull Shqipëria, kanë bërë reforma të rëndësishme, kjo duhet të vlerësohet. Përndryshe, rrezikohet të dëmtohet i gjithë procesi i anëtarësimit dhe këtë nuk duhet ta lejojmë”, tha kancelari në mes të duartrokitjeve të shumë deputetëve në sallë.

Sipas “Deutche Welle”, thirrjet e kancelarit socialdemokrat shkojnë tërthorazi në adresë të Greqisë, e cila ka kërcënuar se nuk do të lejojë çeljen e kapitullit të parë të negociatave me Shqipërinë, pa u zgjidhur çështja Beleri.

Ndërsa për Greqinë, kjo është një çështje që ka të bëjë me shtetin ligjor dhe të drejtat e pakicave, për Gjermaninë është një çështje bilaterale dhe duhet të zgjidhet brenda kuadrit dypalësht.

Një qëndrim, të cilin kancelari gjerman Scholz, e theksoi edhe disa javë më parë gjatë vizitës së kryeministrit grek, Kyriakos Micotakis në Berlin.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ndodhet prej shtatë muajsh në paraburgim me akuzën për “korrupsion aktiv” për shit-blerje votash.