Presidenti i Institutit Austriak për Çështje Ndërkombëtare, Wolfgang Petritsch, është skeptik se do të ketë progres në dialogun Kosovë-Serbi edhe gjatë vitit 2024. Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme të sivjetme në Serbi dhe zgjedhjet e rregullta gjatë vitit të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregojnë se s’do të ketë përparim konkret në dialog, në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Sipas tij, viti i ardhshëm më shumë do të fokusohet në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërmjet dy vendeve dhe në tërësi rajonit.
Ish-i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën dhe ish-negociatori kryesor i BE-së në bisedimet për paqe në Kosovë, Wolfgang Petritsch në një intervistë për KosovaPress, mirëpret shtimin e forcave të NATO-s në Kosovë, për të parandaluar siç thotë ai incidente sikur ai i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, agresion të cilin institucionet e Kosovës e quajnë terrorist dhe të sponsorizuar nga Serbia.
Thotë se nevojitet kujdes i shtuar që “asgjë të mos ndodh në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Unë jam shumë skeptik për momentin. Mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se në Serbi ka zgjedhje, zgjedhjet janë pothuajse kohë të kontestimeve të forta dhe shkeljes së rregullave themelore demokratike. Pra, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm tani që asgjë të mos ndodh në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj e mirëpres shumë forcimin e forcave ndërkombëtare atje, dhe dua të them se është në një farë mënyre një ironi, ju kujtohet ndoshta që në vitin 1999, unë isha duke negociuar së bashku me SHBA-në dhe një përfaqësues rus në Rambuje për një marrëveshje paqeje… dhe pse Serbia në atë kohë nuk e nënshkroi marrëveshjen ishte sepse nuk dëshironte të shihte forcat ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë. Tani, presidenti Vuçiq po thotë se ‘ne kemi nevojë për një KFOR më të fortë’. Pra, këtu, ju shihni se në fakt komuniteti ndërkombëtar ka bërë diçka të drejtë, tani edhe të pranuar nga Beogradi… Ne duhet të sigurojmë një mjedis të sigurt për njerëzit, për qytetarët dhe ne kemi nevojë që të dyja palët të jenë të vendosura se çfarë po bëjnë politikisht dhe si po frenohen atje ekstremistët. Fatkeqësisht ne kemi parë një përplasje ekstremiste në shtator të këtij viti, kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë, dhe mendoj se KFOR-i tani është në gatishmëri dhe do të parandalojë çdo incident të tillë në të ardhmen”, thotë ai.
Ai thekson se ka vendosmëri të re dhe vigjilencë ekstreme nga amerikanët për sigurinë në rajon dhe fokusimin në zbatimin e obligimeve në dialog.
Duke folur për situatën e sigurisë, Petritsch, thotë se komuniteti ndërkombëtar është bërë shumë më vigjilent për rajonin, derisa thekson se parandalimi i luftës në Ballkan është prioriteti numër një si për BE-në, ashtu edhe për ShBA-në.
Për KosovaPress, presidenti i Institutit Austriak për Çështje Ndërkombëtare, Wolfgang Petritsch, foli edhe për samitin e OSBE-së që u mbajt gjatë kësaj jave në Shkup të Maqedonisë së Veriut./KosovaPress