Qeveria ka hapur “qesen”, teksa ditën e djeshme ka ndarë një lajm të mirë për ushtarakët, punonjësit e policisë, zjarrfikësit dhe mjekët. Më konkretisht qeveria do t’i paguajë çdo punonjësi të Policisë së Shtetit të paktën 118 000 lekë të reja për të përballuar koston e dietave, të cilat nuk ishin paguar deri më tani për vitin 2023. Ka qenë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili njoftoi dje në mesditë vendimin e qeverisë, që i hap rrugë pagesës së kostos së prapambetur të dietave të punonjësve të Policisë së Shtetit. “Qeveria shqiptare sapo ka miratuar vendimin për të shlyer një detyrim prej shumë kohësh ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, që lidhet me pagesën e ushqimit për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, përgjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës së tij. Bëhet fjalë për gjatë orarit të punës dhe po ashtu për gjatë gjithë kohës, kur bëhet fjalë në angazhimin e punonjësve të policisë së shtetit, në misione, operacione, apo dhe në përballimin e situatave të emergjencave civile. Këtu dua të sqaroj se në rastin e 22 ditë pune në muaj, apo 264 ditë në vit, çdo punonjës i Policisë së Shtetit do marri pagesë për një vakt ushqimor. Shkon 22 ditë pune, në 12 muaj, 264 pagesa, shumëzuar 450 lekë, për vitin 2023 çdo punonjës do të marri 118 000 lekë të reja, që ishte detyrimi për vitin 2023. Është shpërblimi më i madh që mund të ketë marrë ndonjëherë një punonjës i Policisë së Shtetit. Dhe gjithashtu dua t’ju informoj se në rastet e angazhimit në operacione, pagesa ndryshon, është më e lartë se kjo”, deklaroi ai.
Zjarrfikësit
Më tej, ministri Balla theksoi qeveria do t’i paguajë një rrogë shtesë shpërblim të gjithë zjarrfikësve, ndërsa dy rroga shpërblim atyre zjarrfikësve të cilët ndihmuan në përballjen me zjarret në Greqi. “Lajmi i mirë tjetër që dua të ndaj me ju, është mirënjohja që qeveria u jep të gjithë zjarrfikësve, në të gjithë territorin. Sapo miratuam një shpërblim për punonjësit zjarrfikës, të angazhuar të një situate të vështirë të kaluar gjatë kësaj vere, i falënderoj në emër të qeverisë dhe kryeministrit. Dhe qeveria do t’i transferojë menjëherë të gjitha bashkive të vendit fondin në mënyrë që para natës së vitit të ri të gjithë punonjësit zjarrfikës të marrin shpërblimin e një page mujore. Këtu dua të nënvizoi se të gjithë zjarrfikësit shqiptarë të angazhuar në misionin për ti ardhur në ndihmë shtetit dhe popullit grekë gjatë përballjes me zjarret, për ta shpërblimi do të jetë 2 paga mujore”, u shpreh ai. I pyetur sa është numri i përfituesve, Balla u përgjigj se të gjithë punonjësit e Policisë përfitojnë, 9964 punonjës. “Këtu dua të sqaroj se përse po bëhet tani. Kryeministri e sqaroi vetë që kemi dashur ta bëjmë me herët, por tanimë për shkak të rritjes së të ardhurave, të forcimit të ekonomisë, dhe është një fakt që duhet të jemi të gjithë krenar. Leku është forcuar pasi është forcuar ekonomia, e vërteta është se në këto kushte të reja të përmirësimit të treguesve makroekonomikë dhe rritjes së të ardhurave të qeverisë, kemi mundësi që ky shpërblim këtë vit, në vitin 2024 kjo do të jetë një politikë, pra s’do të presim fundin e vitit për të parë se si jemi më të ardhurat për ta zbatuar këtë politikë. Përveç kësaj, pra pjesës së pagesës së ushqimit që do t’u transferohet në llogarinë e tyre bankare, ne po përmbyllim brenda kësaj jave, ose maksimumi brenda tjetrës, dhe një marrëveshje me rrjetet e supermarketeve të dyqaneve që shesin mallrat bazë ushqimore, në mënyrë që punonjësit e Policisë së Shtetit, tek ky fond të kenë përfitime dhe për sa i përket njëlloj lehtësimi të çmimeve, ku do të blejnë me këtë kartë banke. Me një rrjet supermarketesh, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje ku çdo punonjës policie të ketë ulje 10%-15% apo 20% ulje, kjo është negociatë për të arritur që Punonjësit e Policisë së Shtetit të kenë trajtim preferencial për këtë pagesë që po marrin sot nga qeveria”, nënvizoi Balla.
Ushtarakët
Ndërkohë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh dje se 586 efektivë ushtarakë përfitojnë nga vendimi i qeverisë për një pagë shtesë. Po ashtu, ai theksoi se 38 efektivë të Forcave të Armatosura do të përfitojnë dy paga mujore. “Një pagë shtesë si shpërblim i veçantë, të gjithë punonjësve të shërbimit zjarrfikës për përkushtimin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm në përballimin e situatës së zjarreve gjatë përiudhës së verës. Nga ky vendim i qeverisë përfitojnë 586 efektivë ushtarakë. Ndërsa për 38 efektivët e Forcave të Armatosura të angazhuar në misionin e ndihmës për fqinjët grekë gjatë situatës katastrofike me zjarret, shpërblimi do jetë dy paga mujore”, u shpreh Peleshi në një postim në rrjetet sociale.
Kreditë
Nga ana tjetër, lajm të mirë ndau edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, ndërsa mori pjesë në ceremoninë e akordimit të kredive të buta për strehim për kategoritë e punonjësve të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe personelit mjekësor, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar. Në fjalën e tij, ministri Mete e konsideroi akordimin e kredive me zero interes për punonjësit e policisë së shtetit, forcave të armatosura dhe personelit mjekësor si shprehje të mbështetjes dhe angazhimit të qeverisë për një trajtim dinjitoz dhe cilësor të punës dhe shërbimit të tyre, si dhe shprehje e detyrimit që momentin e mirë ekonomik që po kalon vendi të përkthehet në më tepër solidaritet dhe rishpërndarje edhe më të drejtë në funksion të mirëqenies së qytetarëve. “Jam i bindur që ky lajm sot ju gëzon jo vetëm ju, por patjetër edhe familjarët tuaj në këtë prag festash, pasi sigurimi i kushteve të përshtatshme të strehimit është thelbësor dhe me rëndësi të veçantë për standardet e jetesës. Në këtë frymë, iniciativën e këtij viti, për të mbështetur me kredi me zero interes 300 punonjës të rendit, mbrojtjes dhe shëndetësisë, do ta shtrijmë edhe në vitin tjetër, me synim për të përmbushur sa të e jetë e mundur nevojat e punonjësve që jetojnë larg vendeve të punës, apo që kanë nevojë për më shumë hapësira për strehim”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se synim është gjithashtu që vitin tjetër të konsiderohet edhe zgjerimi i përfituesve dhe kategorive nga këto lehtësi. Ndërkaq, ministri Mete informoi se është alokuar edhe një fond të posaçëm për rritjen e pagave për vitin e ardhshëm, në mënyrë që të avancohet me një rritje domethënëse të pagave për sektorin publik, përfshirë edhe sektorin e rendit, të mbrojtjes dhe të shëndetësisë, me synimin për të ofruar punësim cilësor, një pagë konkurruese edhe në rajon dhe me ambicien për të mos ndaluar këtu, por për të vazhduar më tej drejt një mbështetje më të madhe të shërbyesve publikë. “Me të njëjtën shprehje solidariteti, në aktin normativ që sapo miratuam, ju kemi dhënë mbështetje shtresave në nevojë, si edhe pensionistëve, të cilët morën bonusin e dytë brenda këtij viti, me synimin që gjatë vitit të ardhshëm të angazhohemi në një diskutim të thelluar për reformimin si të skemës së sigurimeve shoqërore, pra të pensioneve, ashtu edhe të shtyllave të tjera të mbrojtjes sociale për shtresat në nevojë”, nënvizoi ministri Mete.