Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kongresin e Partisë Socialiste u shpreh se duhet të përgatiten që në pranverën e vitit të ardhshëm të kenë një Kongres Zgjedhor të PS.
Rama u ndal edhe tek barazia gjinore brenda drejtimit të strukturave të PS. Sipas tij është skandaloze që në vitin 2023 të thuhet nuk ka gra apo vajza.
“Në duhet një angazhim serioz dhe duhet të përgatitemi që në pranverë të kemi një kongres zgjedhor të PS për të pasur një kryesi të re, për të pasur një asamble të re sepse ne nuk na shkon sinqerisht më që të themi ejani jemi të hapur, dhe që fatkeqësisht shumë kush nga ata që na votojnë të mos kenë besim se ne jemi vërtet të hapur, ashtu sikundër ne nuk na shkon, ndërkohë që marrim lëvdata nga familja e madhe socialiste për çfarë kemi bërë për barazinë gjinore, ne ta kemi të sanksionuar në nivele të larta.
Ne kemi në statut që organizatat socialiste duhet të drejtohen nga një burrë ose vajzë dhe akoma sot në 2023 ka zona dhe ka organizata që thonë ne këtu s’kemi gra. Kush i ka pjellë këta dhe me kë i kanë bërë fëmijët këta?! Kjo është skandaloze.
Nuk na shkon më që ti duam nga larg dhe ti respektojmë nga larg dhe ti dëgjojmë nga afër kur vijnë zgjedhjet njerëzit e punës, njerëzit e Shqipërisë që jeton jashtë administratës shtetërore dhe që meritojnë të dëgjohen nga PS dhe meritojnë të bëhen pjesë e PS në rast se dëshirojnë”, tha Rama.