MENU
klinika

Lufta për pushtet në Kiev

Si e përgjonte Zelensky fshehurazi njeriun që i rrezikon postin

20.12.2023 - 08:00

Së shpejti do të bëhen dy vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë, e cila dalëngadalë po kthehet në një konflikt të zvarritur në të cilin të dyja palët po përballen me humbje të mëdha. Instituti për Studimin e Luftës (ISW) analizon pretendimet se Rusia ka një plan të ri dhe të zgjeruar lufte, i cili është në përputhje me shtytjen e Moskës për një konflikt të zgjatur. Nga ana tjetër, Ukraina është zhytur në kaos. Nëse, në vitin 2024, Kievi nuk vazhdon të marrë ndihmë ushtarake dhe financiare nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë, ai jo vetëm që mund të humbasë më shumë territor ndaj Rusisë, por edhe do të përballet me një krizë politike në vend, gjë që është gjëja e fundit që i nevojitet. Vendimi i republikanëve të SHBA-së për të bllokuar një projekt-ligj shpenzimesh urgjente për të financuar mbështetjen për luftën në Ukrainë tashmë ka pasur një ndikim në situatën në Donbass në lindje të Ukrainës, ku forcat ruse bënë fitime taktike të vogla por domethënëse.

Spying Devices Found Inside Zaluzhny's Office Sign of 'Growing Chaos'

Incidenti me Zaluzhny

Por situata duket se është më rëndë sesa duket nga jashtë. Dje, ushtria e Ukrainës tha se pajisje dëgjimi, me gjasa spiune, ishin gjetur në zyrat e gjeneralit të lartë komandues të vendit, Valery Zaluzhny, dhe zyrtarëve të tjerë ushtarakë, por nuk tregoi se kush mund t’i kishte vendosur, ose çfarë bisedash mund të ishin regjistruar në mënyrë të fshehtë. Deklarata ushtarake, e bërë në një postim në Facebook, erdhi një ditë pasi mediat ukrainase raportuan se “zyra” e Zaluzhny ishte përgjuar dhe shërbimi i sigurisë së vendit, SBU, tha se hapi një hetim penal për incidentin. Dje, vetë Zaluzhny, duke folur me gazetarët, tha se një përgjues u gjet në një nga “disa vendet” ku ai punonte. “Kjo është dhoma që unë duhej të përdorja sot,” tha ai në një video të postuar në faqen e internetit të RBC, një media ukrainase e lajmeve. “Unë nuk kam qenë atje për një kohë të gjatë.” Zaluzhny tha se ai kishte punuar më parë në dhomën ku u gjet pajisja, por periudha midis asaj kohe dhe sot ishte “e rëndësishme”. “Ata ndoshta po përgatiteshin për takimin tim,” tha ai. Ai nuk dha detaje të mëtejshme rreth ditës së tij të punës apo me kë kishte planifikuar të takohej. “Sipas të dhënave paraprake, pajisja e zbuluar ishte në një gjendje jofunksionale,” tha shërbimi i sigurisë së vendit.

Survey Highlights High Trust in AFU, Zaluzhny, and Volunteers Among Citizens

Lufta për pushtet

Lajmi ka bërë bujë në Kiev dhe kjo ndoshta sepse, si rezultat i dështuar kundërofensive të Ukrainës, nisur në qershor, tensionet politike mes Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe komandantit të përgjithshëm të vendit Valery Zaluzhny janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Madje, siç shkruajnë mediat e huaja apo edhe ato vendase, janë në nivelin më të lartë që nga fundi i vjeshtës së kaluar. Të dielën e 17 dhjetorit, “The Economist” shkruante për “marrëdhënie që janë bërë të tmerrshme”. Kujtojmë se Valery Zaluzhny tha në një intervistë se lufta me Rusia kishte arritur në një “ngërç” dhe se “me shumë gjasa nuk do të ketë përparim” për Ukrainën në vijën e frontit. Zelensky kundërshtoi publikisht vërejtjet e Zaluzhny dhe më vonë urdhëroi ndryshime në udhëheqjen ushtarake të vendit.

Rreziqet

Rrethet e brendshme ushtarake ukrainase kanë qenë në shënjestër më parë, ndoshta nga shërbimet speciale ruse. Muajin e kaluar, zyrtarët e Kievit thanë se Marianna Budanova, gruaja e shefit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, ishte helmuar me metale të rënda. Budanova, e cila kishte jetuar me burrin e saj në selinë e inteligjencës, u shtrua në spital dhe iu nënshtrua trajtimit pas një sëmundjeje të gjatë, thanë autoritetet. Ish-zëvendës ministrja e mbrojtjes, Hanna Maliar, tha në një postim në Telegram të hënën se ekzistonte një rrezik i vazhdueshëm i mbikëqyrjes dhe përgjimit të bisedave midis zyrtarëve ushtarakë. “Të gjithë janë të vetëdijshëm se ekziston mundësia e përgjimit dhe rrjedhjes së informacionit”, shkroi Maliar. “Prandaj, kjo gjithmonë merret parasysh kur komunikohet me zë.” Ajo shtoi se ndonjëherë, me të vërtetë, dëgjoheshin biseda. “Informacionet sekrete rrjedhin nga selia – po,” shkroi ajo. Sekretet ushtarake janë bërë publike më shumë se një herë.