Rishi Sunak ka dështuar jo vetëm që të mbajë premtimin e tij për të “shtrënguar çdo vidë” për të ndaluar anijet, por edhe tani që thuhet se ka refuzuar 6 herë radhazi paketat e politikave të Braverman-it për reduktimin e imigrimit legal.
Ndërsa po hynte vjeshta, Rishi Sunak dhe konservatorët britanikë kishin nevojë për një ndryshim të lojës. Rimëkëmbja e tyre graduale në sondazhe që nga koha e Liz Truss, që preku fundin, kishte ngecur jo shumë larg mesatares shumëvjeçare, dhe madje kishte nisur të rrëshqiste në drejtimin e kundërt.
Shkatërrimi i asaj që kishte mbetur nga reputacioni i partisë për çështjen më të rëndësishme për koalicionin e saj të vitit 2019, nuk ishte ndryshimi i lojës që kishin në mendje shumë njerëz. Megjithatë kjo është ajo që ka ndodhur pas shkarkimit nga detyra të Suella Braverman dhe zhvillimeve të mëvonshme, si mbi emigracionin legal ashtu edhe atë të paligjshëm.
Pas vendimit të fortë të Gjykatës së Lartë mbi planin e qeverisë për t’i grumbulluar azilkërkuesit në Ruanda, dhe pas statistikave zyrtare thuajse të besueshme që dokumentonin shkallën e gjerë të imigracionit legal që po ndodhte para syve të saj, ishte zonja Braverman ajo që u revoltua ndaj Sunak për të zbatuar masa më efektive që do të forconin kufijtë e Mbretërisë së Bashkuar.
Por Rishi Sunak ka dështuar jo vetëm që të mbajë premtimin e tij për të “shtrënguar çdo vidë” për të ndaluar anijet, por edhe tani që thuhet se ka refuzuar 6 herë radhazi paketat e politikave të Braverman-it për reduktimin e imigrimit legal.
Kryeministri aktual, e mori detyrën duke e ditur se Boris Johnson kishte shkelur premtimin e fushatës së 2019-ës se do të ulet numri i përgjithshëm i të ardhurve, dhe vendosi që të mos bëjë asgjë për ta korrigjuar situatën.
Duke pasur parasysh peshën e fortë të interesave personale në favor të drejtimit të një regjimi migrimi shumë liberal, duke mbrojtur punëdhënësit në korporata, grupet e lobit të biznesit, sektorin e universiteteve dhe organizatat bamirëse të orientuara nga migracioni, do të duhej një kryeministër i vendosur për t’i kthyer gjërat në vendin e duhur. Por Sunak nuk ishte kurrë një i tillë, siç edhe e tregoi në një intervistë me Paul Goodman në prill për portalin Conservative Home. Ai i tha Goodman-it se krye-problemi për shumicën e njerëzve ishin varkat e vogla dhe jo numri i përgjithshëm i emigrantëve të përvitshëm.
Kjo është ajo që Sunak dhe ata rreth tij dëshirojnë që të jetë e vërtetë. Ish-redaktori politik i “The Spectator”, James Forsyth, tani një nga këshilltarët e tij kryesorë, paraqiti tezën në një blog për këtë faqe interneti në mars 2021, me titull:”Emigracioni nuk është më një problem politik”.
Por ajo ka rezultuar të jetë një teori e pasaktë. Indeksi i çështjeve politike i drejtuar nga anketuesi YouGov na tregon se sa i pasaktë është. Seritë e tij mbi çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet vendi ndahen sipas kategorive, përfshirë mënyrën se si votuan britanikët në zgjedhjet parlamentare të 2019-ës.
Midis konservatorëve, migrimi dhe azilantët janë aktualisht çështja kryesore me 11 për qind, madje edhe përpara gjendjes së ekonomisë. Nuk ka asnjë arsye të supozohet se këta votues shqetësohen për vetëm rreth 5 për qind e të ardhurve që hyjnë ilegalisht në Britani.
Shkalla e gjerë e migrimit legal, mund të jetë disi më pak një fyerje e drejtpërdrejtë për ndjeshmërinë patriotike, por është një gjeneruese shumë më e madhe e problemeve që variojnë nga mungesa e banesave deri tek racionimi i shërbimeve publike, mos-rritja e pagave dhe humbja e kohezionit social në komunitete.
Që nga viti 2010, konservatorët kanë hyrë në çdo palë zgjedhje duke u premtuar votuesve se numri i emigrantëve që hyjnë në Britani do të ulet, dhe më pas e kanë shkelur atë premtim në çdo mandat qeverisës.
Nën qeverisjen e David Cameron dhe Theresa May, supozohej që migracioni të reduktohej në dhjetëra mijëra. Megjithatë nuk ra asnjëherë nën 200.000 të ardhur në vit. Manifesti elektoral i vitit 2019, premtoi një rënie të përgjithshme të të ardhurve të reja. Megjithatë 2 vitet e fundit kanë sjellë nivele rekord emigrantësh.
Tani janë laburistët, ata që premtojnë të rikthejnë migrimin vjetor në nivelin “rreth 200 mijë”, duke theksuar se nivelet e migrimit në kohën e qeverisjes së konservatorëve të viteve të fundit janë “tejet të larta”. Nga ana e tij, Rishi Sunak duket i pavetëdijshëm për telashet në të cilat ndodhet në lidhje me këtë çështje.
Këtë javë ai kundërshtoi projektligjin e Denis Healey, duke vlerësuar natyrën jashtëzakonisht liberale të regjimit të vizave të Britanisë së Madhe. Ka mbetur vetëm 1 vit para se votuesit të japin verdiktin e tyre në zgjedhjet e reja parlamentare.
Gati çdo votues konservator me të cilin rastin të bisedoj, është shumë i zemëruar dhe dëshiron tani që partia e tij të pësojë një disfatë epike. Disa prej tyre madje e kanë zhvendosur mbështetjen e tyre tek Partia Reformatore. Migracioni masiv, është një gremina ku mund të vdesin politikisht konservatorët. Por nën udhëheqësin aktual, kambanat kanë filluar të bien që tani./Marrë nga “The Spectator”.