Me një pamje krejtësisht të ndryshuar, ish-kreu i bandës gjakësore të Durrësit është prangosur në Spanjë nga policia vendëse.
Policia e Shtetit menjëherë ka reaguar duke bërë me dije se i kërkuari i drejtësisë sonë është ndaluar në Spanjë, nga ku ka ardhur edhe fotoja e tij, me pamje shumë ndryshe nga ato të viteve të para që kishte lënë qelinë dhe ishte i punësuar në bashkinë e Durrësit. Mirëpo, në lidhje me detajet e operacionit ka pak informacion, por ajo që bëhet me dije është fakti që Shqipëria do të nisë menjëherë dokumentacionin për ta sjellë në vendin tonë, ku ndaj tij ekziston një akuzë që lidhet me vrasjen e Klodian Saliut, ishrivalit të tij të përbetuar, ngjarje kjo e ndodhur në fundshkurtin e vitit 2005, kohë kur banda e Durrësit, me në krye Lulzim Berishën vijonte të sundonte jo vetëm Durrësin.
I etiketuar prej vitesh si një prej personave më me shumë peshë në fushën e krimeve më mbështetje të forta politike, Lulzim Berisha, tentoi t‘i shmangej drejtësisë e për pasojë ai u largua në drejtim të Maqedonisë aso kohe, për tu arrestuar dhe sjellë në pranga në vendin tonë. Ai mori burg të përjetshëm, por vendimi u rrëzua rrugës nëpër gjykatat tona e për pasojë kreu i Bandës së Durrësit, doli nga burgu. Mirëpo, një rihapje çështjeje për vrasjet e Vajdin Lames dhe mikut e të tij dhe të Klodian Saliut, akte të ndodhura në harkun e më pak se dy ditëve, bëri që emri i Berishës dhe i kunatit të tij, të rishfaqej sërish, e për pasojë Prokuroria e Posaçme i shpalli në kërkim pas një dëshmia të marrë nga një i burgosur, që jepte fakte dhe detaje nga ngjarjet e asaj kohe. Por pas shqyrtimi, SPAK vendosi të pushonte çështjen ndaj Berishës dhe Dervishajt për vrasjen e Vajdin Lames dhe mikut të tij, vetëm pak ditë më parë, por urdhri i kërkimit ndërkombëtar nuk u ndalua për shkak se ata mbetën nën akuzë për vrasjen e Klodian Saliut, me 27 shkurt të vitit 2005.
ARRESTIMI
Dje Policia e Shtetit me anë të një njoftimi zyrtar bëri me dije se ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha është arrestuar në Spanjë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. “Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit të tyre në kohë, me strukturat e Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja e shtetasit me rrezikshëmri të lartë shoqërore Lulzim Berisha”, raportojnë uniformat blu. Në njoftimin e saj policia theksoi se “Vijojnë operacionet dhe bashkëpunimet e suksesshme me homologët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Finalizohet operacioni policor i koduar “Sant Joan”. Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimet të tyre në kohë, me strukturat e Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja e shtetasit me rrezikshmëri të lartë shoqërore Lulzim Berisha. Vijon bashkëpunimi me autoritetet spanjolle, për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
ARRATIA E LULZIM BERISHËS
Lulzim Berisha u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme më 2 dhjetor 2022, nën akuzën se bashkë me anëtarë të tjerë të bandës së Durrësit janë përgjegjës për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame, i cili u vra në një shpërthim me bombë në Tiranë në ashensorin e pallatit ku banonte mbrëmjen e 25 shkurtit të vitit 2005, bashkë me Artan Arsin. SPAK njoftoi në atë kohë se hetimi për vrasjen e Lamajt dhe Arsit ishin pezulluar shumë vite më parë dhe ishin rihapur në vitin 2020, kohë kur Luftar Reçi vendosi të bashkëpunonte me prokurorinë për të treguar në lidhje me gjithçka dinte për dy atentatet që tronditen vendin në harkun kohor të dy ditëve.
Në 2 dhjetor, gjykata ka vendosur masë sigurie arrest me burg për shtetasit Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taulla dhe Luftar Reçi, të akuzuar për vrasjen e Lamajt dhe Arsit. Por Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj nuk u vendosën në pranga pasi ishin arratisur nga vendi. “Për shtetasit Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet ngushtësisht me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre,” thuhej në njoftim. Krahas Berishës dhe Dervishajt, nën akuzë për vrasjen e Lamajt e Arsit janë vënë edhe Emiljano Shullazi e të tjerë, të cilët gjenden në qeli me vendime gjykatash. Mirëpo hetimet itensive të realizuara nga SPAK në lidhje me verifikimin e dëshmisë së Luftar Reçit bënë të mundur të mos gjenin fakte dhe prova që i përfshinin Berishën dhe Dervishajn në atentatin e tmerrshëm të ndodhur në ashensorin e pallatit në të cilin banonte biznesmeni Vajdin Lame. E për pasojë, rreth dhjetë ditë më parë u mësua se SPAK e ka pushuar çështjen ndaj këtyre dy personave, por vetëm për vrasjet me minë të telekomanduar ndaj Lamajt dhe Arsit.
Historia e bandave kriminale që kishin përgjakur vendin me dhjetëra atentate e vrasje të bujshme për afro një dekadë kishte nisur të venitej në momentin kur policia nisi t‘i arrestonte. Një nga personat e para që ra në pranga ishte pikërisht Lulzim Berisha, i cili pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ngriti 10 akuza. Mes atyre akuzave ishte krijimi i një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999. Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.
Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit. Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një mori kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016. Në tre vendime të veçanta, Berisha përfitoi uljen e më shumë se 2 viteve burg, ndërsa një vendim i katërt i amnistoi atij edhe 1 vit e 6 muaj burg për shkak të amnistisë së vitit 2012. E kështu Berisha u lirua, ku aso kohe vendimi për lirimin e tij bëri jo pak bujë në vendin tonë.
Sidomos argumentet e Gjykatës, të cilat pos të tjerave thoshin se i dënuari kishte pasur një sjellje të shkëlqyer në burg, por ai duhej edhe të lirohej pasi nuk kishte kush të kujdesej ekonomikisht për familjen e tij. Për këtë shkak u tha se edhe kishte paraqitur interes edhe bashkia e Durrësit për ta punësuar Lulzim Berishën e madje në sistemin e kanalizimeve të kësaj bashkie. Në fakt, Lulzim Berisha, sapo mori vesh se ishte hapur çështja nga SPAK për dy atentatet e bujshme të 2005-s mundi të largohej dhe policia e shtetit njoftoi pas kryerjes së operacionit se Berisha nuk ishte arrestuar për shkak se kishte ikur në drejtim të paditur. Fillimisht u tha se ai bashkë me kunatin e tij ishin vendosur në Dubai, por policia spanjolle e prangosi pikërisht në Spanjë dhe madje për llogari të Policisë sonë.