MENU
klinika

Sfidoi haptazi Amerikën

A do të arrestohet Dodiku pas show-ut të fundit?

10.01.2024 - 20:24

Paralajmërimet e bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë, qoftë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë apo ambasadorë individualë nga anëtarët e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), nuk e penguan festimin e Ditës së Republikës Serpska(RS) në Banja Luka. Për të shtatën herë që nga vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës (B-H), e cila e shpalli 9 janarin antikushtetues për festimin e Ditës së RS-së, deri më tani është mbajtur parada më e madhe e pjesëtarëve të policisë dhe sektorit civil, me mbi tre mijë pjesëmarrës.

Analizat po vazhdojnë

Tani duhet të largohemi nga 9 janari 2023 dhe të shikojmë nga e ardhmja. Duhet thënë se 9 janari 2024 nuk do të ndodhë më në korniza të tilla. Festat e shtetit dhe të entitetit mund të festohen, por mund të bëhet në një mënyrë tjetër”, tha një vit më parë Përfaqësuesi i Lartë Christian Schmidt. Që atëherë, ai i ka bërë thirrje gjyqësorit në B-H në disa raste që të reagojë brenda juridiksionit të tij, duke konsideruar se shënimi institucional i Ditës së RS “shkel vendimet e Gjykatës Kushtetuese të B-H“.

Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës njoftoi më 9 janar se, së bashku me agjencitë partnere të zbatimit të ligjit, “po monitorojnë të gjitha ngjarjet që mund të kenë elementë të veprave penale nën juridiksionin tonë”.

Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës do të mund të vendosë për aktivitete të mëtejshme në periudhën e ardhshme pas analizimit të aplikacioneve të dorëzuara dhe konsultimeve me institucionet partnere”, tha ky institucion gjyqësor.

Nuk ka pasur ende asnjë reagim nga OHR. Më parë ata u kanë bërë thirrje autoriteteve të entitetit që të mos festojnë Ditën e RS në datën e kontestuar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës. Por festimi i tanishëm ishte më i madhi se kurrë më parë, me mbi tre mijë pjesëmarrës. Së bashku me efektet e dritave nga dronët, ishte edhe festa më e shtrenjtë deri më tani, për të cilën janë ndarë një milion e gjysmë marka konvertibile.

Ne nuk kemi nevojë për kolonizatorë apo tutorë. Ky popull nuk ka jetuar kurrë i robëruar. Prandaj kjo nuk duhet të ndalohet, nëse është e ndaluar do të thotë se kemi rënë”, tha presidenti i RS-së Milorad Dodik në ceremoninë solemne për shënimin e Ditës së Republikës Serpska.

Ne po shikojmë Serbinë, Rusinë dhe popullin tonë. Ne nuk duam asnjë konflikt dhe nuk do t’i udhëheqim ato. Ne duam që policët tanë të mbrojnë shtëpitë tona që ekzistojnë në këto zona”, tha Dodik, pranë të cilit në ceremoni qëndronte ambasadori rus në Bosnjë-Hercegovinë, Igor Kalabuhov.

Paralajmërimet e SHBA dhe BE

Nga ana tjetër, SHBA pretn që institucionet e B-H të kryejnë hetime për çdo rast të shkeljes së ligjit, që ka të bëjë me festimin e Ditës së RS më 9 janar.

“Problemi nuk qëndron tek kremtimi i festës, por tek vendimi për ta festuar atë më 9 janar. Lidhja e kësaj feste me një festë fetare ortodokse është në kundërshtim me disa dispozita të Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës, të cilat ndalojnë diskriminimin. Kjo është çështje e ligjit, jo e mendimit të dikujt”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Bosnjë-Hercegovinë.

Nga Brukseli thonë se festimi i ditës së RS më 9 janar është i paligjshëm për Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kujton se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës në dy raste ka vendosur se përkujtimi i 9 janarit nuk është në përputhje me Kushtetutën.

“Mund të përsëris vetëm se Bashkimi Evropian thekson nevojën që të gjithë aktorët në B-H të respektojnë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Dhe siç thamë, çdo veprim që është kundër këtyre parimeve do të çojë në pasoja të rënda”, tha Stano, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në vend që të përmbahen nga retorika apo veprimet provokuese, “veçanërisht ata në RS që vënë në pikëpyetje sovranitetin, integritetin territorial. dhe unitetin e vendit”.

Profesori i së drejtës kushtetuese Kasim Tërnka thotë se ligji është shkelur për shtatë vite, por se nuk ka sanksione. “Lëvizja e parë duhet të jetë nga zoti (Kryeprokurori i Prokurorisë së Bosnjë-Hercegovinës Milenko) Kajganiq dhe ekipi i tij, por fatkeqësisht nuk kanë treguar se mund të përballojnë këtë lloj situate deri më tani. “Me naivitet mund të thuhet se nuk ia dalin, ose ndoshta bëhet fjalë për një lloj qëndrimi politik që në situata të tilla nuk duhet bërë një lëvizje e rrezikshme”, mendon Trnka.

Kërkesa në Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës është bërë e ditur për momentin nga deputeti i pavarur i Asamblesë Kombëtare të RS-së, Ramiz Salkiq, duke deklaruar se Prokuroria “nuk ka guximin apo pëlqimin” për të nisur procedurën kundër Milorad Dodik.

“Prokuroria është përgjegjëse për atë që po bën Dodik sepse nuk sanksionon ata që punojnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. Atyre u kërkohet të ndërmarrin hapa pa i raportuar askush. Këto ishin të detyrueshme edhe në vitet e kaluara”, thotë Salkiq.

Më 9 janar u vendosën lule në Memorialin në Potoçar, nga Nënat e Srebrenicës dhe Denis Beqiroviq, anëtar boshnjak i Presidencës së B-H. Duke komentuar iniciativën e nënave për shpalljen e 9 janarit si ditë zie, Beqiroviq tha se ai erdhi për të dërguar një mesazh se ata “do të ecin lirshëm dhe me dinjitet në çdo pëllëmbë të Bosnjë-Hercegovinës”.

Reagime ka pasur edhe në rrugë. Më shumë se një duzinë automjetesh parakaluan nëpër Zenicë, si përgjigje ndaj përkujtimit të 9 janarit në Banja Luka. Në automjete u shfaqën flamuj me zambakë, ndërsa videot në rrjetet sociale tregojnë djegien e flamurit trengjyrësh me emblemën e RS.

Dekorimet e Orbanit dhe Putinit

Në festimin e Ditës së RS vitin e kaluar, Urdhëri i Gjerdanit iu dha presidentit rus Vladimir Putin për “qëndrimin patriotik dhe dashurinë për RS”. Çmimin më të lartë këtë vit e ka marrë kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. “Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka pranuar të marrë çmimin më të lartë të RS. Është krenaria e Republikës që mund t’i japë mirënjohje për njeriun që është gati të na respektojë si një fakt real politik”, tha Dodik, duke shpjeguar se urdhrin do t’ia dorëzojë Orbanit muajin e ardhshëm. Ardhja e kryeministrit hungarez ishte paralajmëruar më herët, por ai nuk erdhi. Në Banja Luka ishte vetëm një delegacion serb i kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq.

Presidenti i SerbisëAleksandar Vuçiqka dërguar një letër me urime, por as këtë vit nuk mori pjesë në këtë festë. Që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të B-H në vitin 2015, Vuçiq udhëhoqi delegacionin serb në festë vetëm në vitin 2016 si kryeministër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ambasadori i SHBA në Beograd për REL

“Sulmi në Banjskë, pengesë e madhe për negociatat”