MENU
klinika

“Takimet tona nuk janë ndërmjetësim”

Ambasada e SHBA dhe BE mohojnë nogociatat për reformën zgjedhore

16.01.2024 - 13:36

Zyra e shtypit të Ambasadës Amerikane ka hedhur poshtë mundësinë e ndërmjetësimit të selisë diplomatike në tejkalimin e krizës në komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Në përgjigje për mediat, zyrtarët e Ambasadës kanë deklaruar se do të vijojnë të takohen rregullisht me kryetarët, bashkëkryetarët dhe anëtarët e komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshirë Komisionin Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke nënvizuar se takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi.

“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”, nënvizon zyra e shtypit e Ambasadës Amerikane.

Të njëtin qëndrim ka mbajutur edhe delegacioni i BE në Tiranë duke hedhur poshtë deklaratat e bëra nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Sipas Lulzim Bashës, ndërkombëtarët janë përfshirë në ndërmjetësin mes palëve për të bindur PS, që të arrijë dakortësinë për Reformën Zgjedhore.

“Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve’, thuhet në reagimin e delegacionit të BE.