MENU
klinika

Arma amerikane në Ushtrinë e Kosovës

Antitanku “Javelin” që i fut frikën Serbisë!

12.01.2024 - 11:06

Ky është lëshuesi dhe raketa “Javelin”. Arma më e re amerikane që pritet t’i shtohet arsenalit të Ushtrisë së Kosovës. Tashmë është konfirmuar zyrtarisht se qeveria e Shteteve të Bashkuara ka pranuar kërkesën e qeverisë së Albin Kurtit për blerjen e armës së fuqishme.

I takon Kongresit që të japë vulën e fundit për të autorizuar shitjen e “Javelin”. Forcimi i ushtrisë është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë së Kosovës që ka shumfishuar fondet në këtë drejtim. Sistemi i raketave anti-tank ka hyrë në shërbim në vitin 1996, por përgjatë viteve ka pësuar përditësim të vazhdueshëm.

Për herë të parë, “Javelin” u përdor në Irak në vitin 2003. Popullaritet të madh fitoi në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë. Forcat e Kievit i kanë përdorur ato kryesisht në shkatërrimin e tankeve dhe automjeteve të blinduara ruse. Përdorimi i tyre në fushën e betejës ka rezultuar mjaft efikas. Koka luftarake e “Javelin”-it mund të shkatërrojë tanke moderne, duke i goditur nga lart, ku armatura e tyre është më e hollë. Rrezja e përdorimit është nga 2500 deri në 4750 metra.

Ky lloj antitanku kushton afërsisht 178 mijë dollarë, duke përfshirë sistemin e lëshimit dhe raketën, e cila e vetme kushton 78 mijë dollarë. Nuk dihet numri i saktë i raketave dhe lëshuesve që ka porositur Kosova në Shtetet e Bashkuara dhe as nëse ushtarët e FSK janë trajnuar për përdorimin e “Javelin”.