MENU
klinika

Akuzohet për fshehje pasurie

Dënohet më një vit burg gjyqtarin Ardian Hajdari

24.01.2024 - 14:45

Gjyqtari Ardian Hajdari, ish-anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është dënuar me një vit burg, pasi akuzohet për fshehje të pasurisë, por do t’i konvertohet në dy vite shërbim prove.

Kujtojmë se SPAK në kohën kur ai ka kryer deklarimin pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, në vitin 2017 në funksion të aplikimit të tij për një pozicion në institucionet e vetingut, ka lënë bosh rubrikën lidhur me të ardhurat e krijuara më parë nga avokatia.

Sipas prokurorisë, mosdeklarimi i të ardhurave nga aktiviteti i avokatisë nuk është harresë, por është një fshehje e mirëfilltë e kryer për disa vite me radhë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se Hajdari ka përfaqësuar në cilësinë e avokatit dhjetëra çështje për disa vite, por nuk i ka deklaruar në tatime të ardhurat e fituara.

Nga SPAK gjithashtu ishte vërejtur se prej shumë vitesh, Hajdari depozitonte pranë organeve tatimore deklarata tatimore me vlera zero ose ndonjë deklaratë me vlerë të papërfillshme.

Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe pas kontrollit tatimor të kryer për shkak të kërkesës për çregjistrim, duke pasqyruar një aktivitet me të ardhura thuajse ‘zero’.