MENU
klinika

Analiza

Izrael-Palestinë: Zgjidhja me dy shtete ka vdekur

24.01.2024 - 14:29

Jo të gjithë izraelitët mund të kënaqen me këtë qasje. Shumica e forcave të vjetra politike kanë filluar të komplotojnë…
Sot izraelitët nuk besojnë se një shtet hebre mund të bashkëjetojë me një shtet fqinj palestinez. Ata e kanë humbur të gjithë besimin tek një zgjidhje e mundshme e konfliktit përmes krijimit të 2 shteteve. Edhe pse edhe para sulmeve të Hamasit më 7 tetor në Izraelin Jugor, nuk kanë ushqyer ndonjë iluzion të madh në këtë drejtim.

Përkundrazi, ata duan tani fortifikime më të mëdha dhe më të mira, dhe një vigjilencë më të madhe pas gabimeve të shërbimeve sekrete dhe atyre të sigurisë që dështuan të parandalonin atë që ishte qartësisht një masakër e planifikuar prej kohësh.

“Tani izraelitët e kanë mendjen tek lufta”- thotë për “Politico” anketuesja Dahlia Scheindlin. Ajo i referohet një sondazhi të Institutit të Demokracisë në Izraeli, që zbuloi se 75 për qind e hebrenjve izraelitë mendojnë se vendi duhet të injorojë presionin në rritje nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund sa më parë luftës në Gaza.

Dhe një sondazh tjetër i Gallup, tregoi se 65 për qind e tyre kundërshtojnë krijimin e një shteti të pavarur palestinez. Zgjerimi i kundërshtimit të izraelitëve në lidhje me një zgjidhje të mundshme me dy shtete, tregon se sulmet e 7 tetorit nga Hamasi, do ta anojnë vendin më tej në të djathtë, që dominohet në përgjithësi nga idetë e kolonëve të Bregut Perëndimor.

Këta të fundit duan që Izraeli si shtet të shtrihet në të gjithë tokat biblike të hebrenjve. Kjo që po shohim është në përputhje me një model historik, thotë Scheindlin. Sa herë që Izraeli përjeton një tronditje të madhe, përfitojnë partitë dhe politikanët e të djathtës.

Por nëse zgjedhjet do të mbahen së shpejti, nga ato nuk do të përfitojë domosdoshmërisht vetë kryeministri Benjamin Netanyahu apo partia e tij Likud. Shumica e izraelitëve e fajësojnë këtë të fundit për dështimin e sigurisë. Ata ziejnë nga zemërimi, dhje duan që ai të largohet. Por me ose pa të në krye, Scheindlin thotë se drejtimi bazë i orientimit politik nuk ka gjasa që të ndryshojë.

Dhe kjo tregon se do të vazhdojë të anashkalohet çështja e së ardhmes së palestinezëve dhe aspiratave të tyre kombëtare. Për të mos folur pastaj për një zgjidhje me dy shtete. Por jo të gjithë izraelitët mund të kënaqen me këtë qasje. Shumica e forcave të vjetra politike kanë filluar të komplotojnë.

Ato po këmbëngulin që të dëgjohen, duke argumentuar se shpërfillja e çështjes palestineze nuk do të funksionojë, dhe se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë për të ecur përpara.

“Sot nuk është në modë t’u besosh palestinezëve, asnjërit prej tyre. Kjo është koha kur ata duhet të urrehen. Por unë them se kjo është marrëzi. Kur debatoj me njerëzit, u them ndonjëherë: E cila është zgjidhja? Çfarë mendoni se mund të bëhet? A mendoni se ne mund të vazhdojmë të kontrollojmë 4.5 milionë njerëz pa të drejta, përmes një pushtimit të pakufizuar në kohë? A mendoni se mund të funksionojë kjo gjë? Natyrisht, nuk kanë asnjë përgjigje”, thotë ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert.

Dhe kur u pyet se si izraelitët mund të binden për të pranuar idenë e 2 shteteve, Olmert thotë se kjo duhet të pranohet që nga ata në krye të vendit. “Ky është një akt lidershipi dhe që tani na mungon. Në karrierën time politike, unë kam mësuar se realiteti krijohet ndonjëherë nga vendosmëria e palëkundur dhe vendimet e forta të marra nga udhëheqësit. Zgjidhja me dy shtete nuk ka qenë asnjëherë një ide popullore për shumicën e izraelitëve. Por nëse do të ishte zbatuar, po të kishim nënshkruar dikur një marrëveshje, shumica do të kishte shkuar përpara”- nënvizon ai, që mendon se Netanyahu as do dhe as mundet të ndryshojë qëndrimin e tij, pasi kjo do të nënkuptonte asgjësimin politik të tij dhe koalicioni të tij qeverisës.

Ashtu si Olmert, edhe Yaakov Peri, ish-drejtues i agjencisë izraelite të sigurisë Shin Bet – i njohur me nofkën Shabak – është gjithashtu një ithtar i një zgjidhjeje me dy shtete, pasi ai nuk sheh alternativë tjetër realiste. “Unë kam qenë për një zgjidhje me dy shtete që nga fillimi, pra që nga viti 1993 pas Marrëveshjes së Oslos”- shprehet ai, duke iu referuar marrëveshjeve historike që krijuan Autoritetin Kombëtar Palestinez (AP) në Bregun Perëndimor dhe që synonin të vendosnin izraelitët dhe palestinezët në rrugën drejt një zgjidhjeje përfundimtare të negociuar.

Peri bie dakord me Olmert se skepticizmi i publikut mund të kapërcehet. Ai vë në dukje se shumica e izraelitëve dyshuan edhe mbi traktatin e paqes Egjipt-Izrael të nënshkruar nga Anwar Sadat dhe Menachem Begin në vitin 1979. Udhëheqësit egjiptianë dhe izraelitë të asaj kohe u përballën me rreziqe të mëdha për të firmosur një marrëveshje, e cila është ende sot në fuqi.

“Për më shumë se 20 vjet, qeveritë izraelitë nuk e kanë marrë seriozisht parasysh këtë skenar”- thotë Peri. Duke e hedhur poshtë idenë se nuk ka partnerë seriozë për paqen edhe në radhët e liderëve palestinezë, ai përmendi pasardhës të mundshëm të moderuar të presidentit 88-vjeçar të Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas.

Në krye të listës së tij është Mohammed Dahlan, ish-udhëheqës i Fatahut në Gaza, që sot është një biznesmen i suksesshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, mik dhe këshilltar i ngushtë i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Peri dhe Dahlan flasin shpesh me njëri-tjetrin. Madje i telefonoi edhe në kohën që ishte duke folur për POLITICO.

Meqë lufta rrezikon të radikalizojë më tej palestinezët- si në Gaza po ashtu edhe në Bregun Perëndimor – Peri druhet se nëse nuk ndryshohet dinamika aktuale, është real rreziku që Hamasi të forcohet shumë në Bregun Perëndimor në kurriz të Fatahut.

Sipas tij, bashkëpunimi midis agjencive të sigurisë së Autoritetit Palestinez dhe Izraelit mbetet i mirë. Dhe tani për tani AP kontrollon Judenë, Jerusalemin Lindor, Ramallahun dhe Hebronin. “Por në pjesën veriore të Samarisë, në vende si Zhenin, Tukaram dhe Nablus, ndikimi është i dobët”- shton Peri, që i frikësohet një shpërthimi të gjerë të dhunës në Bregumn Perëndimor.

Ky skenar frikëson edhe Ronen Bar, kreun aktual të Shabak. “Ne jemi aktualisht në një udhëkryq. Në mesin e palestinezëve ka shumë njerëz të mirë. Në rast se ka vullnet për negociata, palestinezët do të gjejnë njerëzit e duhur për t’i përfaqësuar. Por nuk mendon kështu e djathta izraelite. Edhe Netanyahu duhet të mbajë këtë qasje për të ruajtur koalicionin e tij qeverisës. Ai e ka dënuar procesin e Oslos, duke theksuar se i gjithi ishte një gabim i tmerrshëm, dhe se nuk ka se me kë të negociojë për paqe nga pala palestineze”- deklaron Olmert.

Ndërkohë deputeti i Likud, ish ambasador i Izraelit në OKB, Danny Danon, thotë se tani nuk është koha as për ta hapur këtë temë. Një kritik i ashpër i Marrëveshjes së Oslos, ai tha për POLITICO: “Unë nuk po shpreh vetëm mendimin tim. Pas ngjarjeve të 7 tetorit, rreth 99 për qind e izraelitëve nuk e kanë mendjen të flasin mbi një zgjidhje me 2 shtete”.