MENU
klinika

“Kujdes nga hakerimet”

Karamuço ngre alarmin: Disa aplikacione vjedhin numrin tuaj dhe e publikojnë në faqet erotike!

24.01.2024 - 19:14

Dhjetëra denoncime janë bërë gjatë ditëve të fundit në polici, nga qytetarë që kanë marrë mesazhe të çuditshme në numrin e tyre celularë.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në “Top Talk”, shpjegoi se si pasojë e hakerimit të numrave telefonikë, vidhet identiteti i qytetarëve dhe mund të përdoret në grupe erotikë.

“Ka disa denoncime gjatë ditëve të fundit, për numra e telefonit të abonentëve të ndryshëm, që janë marrë më parë dhe tani janë krijuar grupe, duke i shpallur këto numra telefoni sikur ofrojnë shërbime erotike. Këta qytetarë kanë marrë shumë thirrje telefonike nga këto numra, që kryesisht janë në aplikacionin Telegram, ku i bëjnë thirrje dhe i thonë si je… pra, futen në kontakt për të krijuar mundësinë si mund të takohemi etj.

Ndërkohë, qytetarët nuk dinë fare se për çfarë bëhet fjalë. Vetëm kur dikush i thotë që numrin tënd të telefonit e kam parë në x faqe, atëherë vihet në alarm. Kanë filluar denoncimet e para në Policinë e Shtetit. Është e vështirë për t’u zbuluar, për shkak se administratorët janë anonim”, tha ai.

Kur identiteti i qytetarit shpërndahet në këto faqe apo grupe të paligjshme, qytetarëve u vijnë mesazhe në celularë, nga persona që kërkojnë “shërbim”.

“Madje, kanë marrë edhe imazhin tënd në WhatsApp ose Telegram, e bëjnë si poster të vogël, vendosin numrin tënd të telefonit dhe shërbimet që ti ofron. Pra, të dhënat e identitetit tënd i marrin dhe i ofrojnë në botën virtuale, që ty pastaj të të drejtohen të gjithë ‘njerëzit grabitqarë’ dhe të të kërkojnë favore seksuale”, shpjegoi Karamuço.