MENU
klinika

Lindshmëria e ulët në Francë

Macron lajmëron strategjinë e re: 6 muaj leje lindjeje për të dy prindërit

17.01.2024 - 15:27

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka njoftuar futjen në fuqi të “lejes lindjeje” gjashtëmujore për të dy prindërit. Vendimi i Macron erdhi pasi Instituti Kombëtar i Statistikave raportoi një rënie të madhe të lindshmërisë e cila u konsiderua si viti me lindjet më e ulëta që nga periudha e pasluftës.

Macron u shpreh se lindshmëria po bie në vend ndërsa infertiliteti mashkullor dhe femëror përparon, duke bërë që shumë burra dhe gra të vuajnë.

“Pas zgjatjes së lejes së atësisë, besoj thellësisht se futja e një leje të re lindjeje mund të jetë një element i dobishëm i një strategjie të tillë”, për rinisjen e lindjeve.

“Jam i bindur se ne kemi të gjitha cilësitë për të pasur sukses. Jam i bindur se historia jonë e përparimit nuk ka përfunduar dhe se fëmijët tanë do të jetojnë nesër më mirë se ne sot,” shtoi ai.

Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2023, lindjet ishin vetëm 678,000, një rënie prej 6,6% nga viti i kaluar, niveli më i ulët që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.