MENU
klinika

DW: Pse punëdhënësit s’paguajnë paga më të larta

Mijëra euro bonus, Gjermania po tërheq punëtorë të kualifikuar!

10.01.2024 - 11:14

Gjithnjë e më shumë kompani po ofrojnë bonuse për të tërhequr punëtorë të kualifikuar. Por pse punëdhënësit gjermanë nuk paguajnë paga më të larta?

Kujdestarët, personeli mjekësor, punonjësitnë laboratori: lista e shpalljeve të punës në Spitalin Agaplesion në Giessen është e gjatë. Aty, si në shumë degë tjera ekonomike, ka kërkesë për personel të kualifikuar. Ata që përzgjidhen marrin jo vetëm një punë, por edhe një bonus solid. Bëhet fjalë për 2000 euro për një pozicion në laboratorin e kateterëve kardiak, për të cilin sapo është publikuar shpallja.

Ideja që qëndron pas: bërja e vendit të punës sa më tërheqës. Punët në shëndetësi kanë një reputacion të keq, thotë Ina Junga. Ajo drejton departamentin e burimeve njerëzore në Spitalin Agaplesion. “Kushtet e punës këtu nuk janë aq jo tërheqëse sa përshkruhen në raportet e mediave.” Kjo është arsyeja pse, sipas saj, ata kanë vendosur të japin bonuse.

Bonuset janë në trend

Shumë kompani gjermane, si kjo klinikë, po luftojnë për të tërhequr punonjës të dëshirueshëm – dhe ate jo vetëm në industrinë e kujdesit shëndetësor. Nga teknikët e automekatronikës deri tek montuesit e kuzhinës, punëdhënësit përpiqen të tërheqin duke premtuar bonuse nga 300 deri në 4000 euro.

Një analizë e platformës së punësimit Indeed tregon se bonuse për ndryshimet e vendeve të punës janë rritur ndjeshëm. Në vitin 2019, nga një milion konkurse pune në këtë platformë, në 3.050 prej tyre janë premtuar edhe pagesa shtesë për të pranuar një vend pune. Ndërsa në vitin 2023, kishte 7.129 konkurse të tilla pune, ku oforohej pagesa shtesë vetëm për të marrë një vend pune, që është dyfishi i vitit 2019. Edhe nëse mund të thuhet se kjo përqindje e vendeve të punës ku ofrohen pagesa shtesë është e vogël, këtu shihet një tendencë e qartë në rritje.

Ndryshimet në tregun e punës

Kjo mund të shpjegohet me një pasqyrë të gjendjes së tregut të punës, i cili vazhdoi të zhvillohej në favor të punonjësve. Sipas Institutit për Tregun e Punës dhe Kërkimeve Profesionale, aktualisht ka rreth 1.7 milionë vende të lira pune në Gjermani. Ndërsa rreth 2.6 milionë njerëz janë të regjistruar si të papunë.

Kjo do të thotë se 1.5 punëkërkues vijnë në një pozicion vakant. Dhjetë vjet më parë, ky raport ishte afërsisht katër punëkërkues në një vend të ri pune, që do të thotë se konkurrenca për një vend pune ka qenë shumë më e lartë. Sot, punëdhënësit janë ata që duhet të përpiqen të tërheqin fuqinë punëtore.

Bonuset në Aeroportin e Frankfurtit

Se bonuset janë një mjet i mirë për tërheqjen e fuqisë së kërkuar punëtore është dëshmuar në veçanti në vendet ku mungesa e punëtorëve të kualifikuar është tepër e madhe: në Aeroportin Ndërkombëtar të Frankfurtit (Fraport). Bonuse për punonjësit e rinj paguhen atje që nga viti 2022. Personeli që është i punësuar për shërbimet tokësore është joshur me një bonus prej 1000 euro.

Fakti që ky aeroport iu bashkua kaq herët kësaj tendence për pagesa të bonuseve për punësime, ka të bëjë me situatën specifike në industrinë ajrore gjatë kohës së pandemisë, thotë zëdhënësi i Fraport, Andreas Schopf. Trafiku i linjave ajrore ishte i pari që u prek rëndë nga masat kufizuese kundër koronës, ndërsa tani kjo degë është kthyer në normalitet, e punëtorët mungojnë. Gjatë kohës së pandemisë, shumë punonjës janë larguar nga kompania dhe kanë filluar të merren me profesione të tjera.

Pagat e larta nuk janë ekonomike?

Sipas të dhënave nga kompania, Fraport arriti të tërheqë 4000 punonjës të rinj që nga futja e bonuese. Zëdhënësi Schopf thekson se shpërblimet e këtilla së bashku me përfitimet e tjera si Deutschlandticket (bilet apër udhëtim në Gjermani) janë një nga faktorët që e bëjnë dikë të zgjedhë këtë punëdhënës. Megjithatë, punëdhënësit nuk duan vetëm që punonjësit e rinj të vijnë tek ata, por ata janë të interesuar që punonjësit të mbeten në këto vende pune. Prandaj shtrohet pyetja, pse nuk paguhen paga më të larta në vendet ku ka nevoja shumë të mëdha për punëtorët e kualifikuar?

Arsyeja për këtë është llogaritja ekonomike, thotë Michael Neugart, një ekspert ekonomik nga Universiteti në Darmstadt. Nëse kompanitë do ta rrisnin pagën mujore bruto për 100 apo 200 euro, atë shumë do ta paguanin gjatë gjithë periudhës së punësimit. Pagesa e njëhershme e ndonjë bonusi është një nxitje financiare për punonjësit, por punëdhënësit nuk futen kështu në obligime afatgjata për pagesa.

Viti 2024

Spitali Agaplesion në Giesen do të mund të paguante edhe më shumë, thotë shefi i burimeve njerëzore të Junga. Në sektorin e përkujdesit ka më pak staf, sepse kompanitë e sigurimeve shëndetësore u paguajnë spitaleve shuma fikse për pacientët e trajtuar, që do të thotë se edhe burimet financiare janë të kufizuara. “Nuk do të ishte mirë të japim paga më të larta, ndërsa në anën tjetër të kufizojmë numrin e stafit,” thotë Junga.

Prandaj, rritja e pagave nuk është zgjidhje e mirë as për klinikën në Giessen. E megjithatë, viti 2024 do të jetë një vit i mirë për punonjësit. Sidomos ata që janë të kualifikuar për punët më të kërkuara mund të shpresojnë se do të përfitojnë bonuse, nëse e ndërrojnë vendin e punës, që do të thotë se pozitat e tyre në negociatat për punë janë më të fuqishme./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja çfarë na mëson historia!

A do të kemi trazira sociale pas pandemisë?

Renditja e 19 të tjerëve që e ndjekin, sipas FMN

Cili është vendi më i pasur sot në botë dhe pse

Nga Financial Times/ Rritja më e madhe u drejtua nga SHBA dhe Kina

Çfarë parashikon Komisioni Evropian për ekonominë?