Nga: Kostandin Feshti
Është shumë interesante sesi ka stile që prej vitesh janë pjesë e modës dhe e mënyrës së të veshurit, tek një pjesë e madhe e njerëzve, por në momentin e parë që bëhen virale në rrjete sociale, falë një emërtimi “të zakonshëm”, trajtohen si “risitë e momentit”. Prej një kohe shumë të gjatë kjo ka qenë një veshje e preferuar e vajzave dhe zonjave shqiptare për shembull, për evente të ndryshme ose darka të rëndësishme. Një takë klasike, një fustan elegant ( mundësisht i zi dhe i ngjitur mbas trupit ), një peliçe e madhe ( lutemi të ketë qenë “faux fur” dhe të jetë ashtu akoma, pra imitim pellushi, jo i marrë direkt nga kafshët e ndryshme që torturohen për këtë produkt mode ) dhe “voila”, kombinimi ishte gati, por i pa-emërtuar. Tani mund të themi që ju keni qenë zonjusha perfekte për të prezantuar grupin tuaj “mafioz” në shoqëri.
Të gjithë personazhet e njohur të botës mediatike dhe asaj të modës, duket sikur këtë trend po e përqafojnë gjithnjë e më shumë. Komforti dhe ngrohtësia gjatë ditëve të ftohta, e shoqëruar me një pamje konsideruar “ekstravagante”. Ndoshta kjo mund të themi që është risia fshehur nën trend: Përdorimi i një kombinimi të kategorizuar “mbrëmjeje” në përditshmërinë tuaj, në punë, duke mbaruar porositë e ditës, qoftë dhe për një kafe të shpejtë me miqtë.
Një veshje e thjeshtë: xhinse, një t-shirt ose pulovër, atletet tuaja të preferuara, një çantë e vogël, pellushi juaj gjigand dhe jeni gati për t’u bërë dhe ju pjesë e trendit të momentit.
Imazhi: LIVING
Yjet e vjetër të Hollywood-it e kanë patur “look”-un e tyre “shpëtues”, supermodelet e kohës si Kate Moss, Naomi Campbell, Shalom Harlow shfaqnin gjithë sensualitetin e tyre nëpërmjet getave relativisht të holla, këpucëve me majë dhe fustaneve super-të-shkurtër, ndërsa tani, i gjithë koncepti është më sportiv, më i prekshëm, ndaj shijojeni dhe krijoni sa më shumë kombinime, të vlefshme për t’u infiltruar në çdo grupim si “Mafia më e re në qytet”.