MENU
klinika

Blerja e raketave kundërtanke

Osmani: Moment historik për sigurinë tonë kombëtare

12.01.2024 - 15:00

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me pranimin e kërkesës së Kosovës për blerje të raketave kundërtanke “Javelin”, nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Osmani shprehet se tashmë Kosova po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.

“Kjo ngjarje shënon një moment historik për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe është një dëshmi e partneritetit të qëndrueshëm të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan ajo.

Ndër të tjera, presidentja Osmani shprehet besimplotë se “Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian”.

Reagimi i plotë

Republika jonë po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes. Kjo përfshinë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e FSK-së shprehë mirënjohjen time për institucionet tona të mbrojtjes të cilat për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS.

Siç u tha në Deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane: “Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes.”

Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Arma amerikane në Ushtrinë e Kosovës

Antitanku “Javelin” që i fut frikën Serbisë!