MENU
klinika

AMP verifikon përgjigjet në formular

Përdorimi i ‘Sky’ e ‘ECC’/ Sot afati i fundit i vetëdeklarimit të policëve

05.01.2024 - 17:13

Mesnatën e 5 janarit përfundon afati 1 mujor për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit lidhur me përdorimin ose jo të aplikacioneve “SkyECC” dhe “EncroChat”.

Këto rrjete komunikimi u shfrytëzuan nga grupet kriminale për të komunikuar për planifikim vrasjesh, trafik droge dhe jo vetëm, ndërsa në Shqipëri dhe vende të tjera disa zyrtarë e punonjës policie janë arrestuar nga zbardhja e mesazheve me grupet kriminale.

Burime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, që është ngarkuar të verifikojë të gjithë formularët, thanë se ende nuk janë administruar të plota të gjitha të dhënat pasi është pritur ora e fundit për t’u dhënë mundësinë të gjithëve ta dorëzojnë formularin.

Por, cila do të jetë lëvizja e radhës nga AMP pas mbylljes së procesit?
Të gjithë formularët, një e nga një, do t’i nënshtrohen një verifikimi paraprak, për të parë përgjigjet e shënuara nga efektivët në lidhje me pyetjet që u janë bërë. Nëse ndonjë prej punonjësve të 3 strukturave të sigurisë, me vullnet ka pranuar se ka përdorur ilegalisht njërin prej aplikacioneve apo të dy, përjashtimi do të jetë i menjëhershëm.

E njëjta gjë do të vlejë edhe për ata që nuk e kanë plotësuar formularin. Në vijim, një verifikim i dytë do të bëhet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, kësaj here për punonjës që ka indicie se e kanë plotësuar formularin në mënyrë të rreme. Pritet kryqëzim i informacioneve që sigurohen nga ana e AMP me prova konkrete të përdorimit të aplikacioneve.

Në këtë pikë, pritet të kërkohet ndihmë edhe nga agjenci të tjera të hetimit dhe sigurisë, prokurori të juridiksionit të përgjithshëm, SPAK dhe Shërbimi Informativ i Shtetit, për të garantuar prova. Nëse vërtetohet përdorimi i aplikacioneve “SkyECC” apo “EncroChat” përjashtimi është i menjëhershëm i shoqëruar me nisjen e hetimit për deklarim të rremë të të dhënave të formular.

Për këtë kategori efektivësh do të ketë hetim të thelluar mbi përdorimin e aplikacionit dhe përfshirjen në aktivitet kriminal.

Autoritetet shqiptare kanë marrë nga Europol, policia franceze e holandeze, një listë të efektivëve që kanë përdorur platformat e koduara. Zbardhja e këtyre mesazheve ka çuar në pranga ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistri, efektivin Ardit Hasanbegaj, ish-zv.drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe ish-shefin e krimeve, Dedan Gjoni.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lamallari: Afat deri nesër për formularin

Ja penalitetet nëse efektivët gënjejnë për Sky dhe EncroChat