MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Politika mes dy epokave

11.01.2024 - 18:07

Ka vite që themi “nuk po ikën tranzicioni” apo “sa i gjatë ky tranzicion”. Por nuk e kuptojmë që duke vajtur si “ogiçi”pas politikës së vjetër, duke u marrë gjatë me lajme boshe dhe strohollime faktesh dhe ngjarjesh absurde me “ish-liderë, kryetarë të përjetshëm”, etjj, vetëm sa kemi tejzgjatur tranzicionin. I kemi dhënë vite jetë, një periudhe e cila mund të kishte qenë e shkurtër , aq sa ajo e vendeve të tjera postkomuniste. Dhe vazhdojmë të mbetemi mbrapa.

Vazhdojmë të mblidhemi rrugicave, bulevardeve, selive, pa kurrëfarë frymëzimi, besimi, shprese, pa kurrëfarë pikësynimi për të ardhmen e vendit, brezave, etj. Politika ka mbetur mes dy epokave. Njërën e kryeson e vjetra, e mbrapshta, e kaluara e hidhur, e kryesojnë një tufë njerëzish që kanë 30 vjet që bëjnë lëmsh sallat e Parlamentit, komisioneve, selive, që bëjnë protesta për mosprekjen e individit, për mosprekjen e pasurive klanore dhe familjare, dhe harrojmë se ka edhe një tjetër politikë. Eshtë ajo e futur mjeshtërisht nga Edi Rama.

Eshtë politika europiane, politika e zhvillimit të qëndrueshëm, larg betejave donkishoteske, larg mërive dhe mllefeve. Politika sot është mes dy epokave, dhe shqiptarët natyrisht do dinë të zgjedhin. Nuk është fjala këtu për pushtetin, për ta mbajtur sa më gjatë atë. Nuk është fjala as për 2-3 apo dhe më shumë ministra, deputetë, drejtues dikasteresh që ikin në ndjekje penale. Ata do të kenë gjithmonë fatin e zi, të futjes në burg, në rast se i vërtetohen shkelje, vjedhje, mashtrime, abuzime. Këtu është fjala për krijimin e një imazhi europianist për politikën, për të mos e parë atë si “strehë rehatuese për batakçinjtë”. Edi Rama, po e mban fjalën. E ka mbajtur qysh ditët e para të marrjes së pushtetit në 2013. “O bëhemi shtet, o kurrë nuk do të kemi shansin të jemi”. Kështu deklaronte, dhe kështu po bën.

Dhe shqiptarët e duan shtetin, duan edhe zbatimin e ligjeve, siç duan ndëshkimin e atyre që kanë 30 e ca vjet, që ç’nuk i morën politikës, vendit, qeverisjes, qyteteve, fshatrave, tokës, detit, lumit. Politika sot gjendet mes dy epokave. Njëra e rreckosur, e vjeteruar, e mjerueshme, e mëkatosur. Dhe tjetra, e besueshme, frymëzyese, ideuese, investuese, e prekshme, dhe realiste. Sot më shumë se kurrë, kjo lloj politike, shihet si shpresëmadhe për fatet e vendit, për të ardhmen e familjes, individit, zhvillimit, etj. Politika e rreckosur, e vjeteruar, ka mbetur rrugicave, lagjeve, skutave.

Mjerimi i asaj politike, ka lënë sot vendin pa alternativë konkurruese, pa opozitë. Edi Rama, nuk mund të humbasë më kohë duke lutur sejmenët e politikës së rreckosur, ti bashkohen rrugëtimit të së ardhmes, pasi ata nuk e duan të ardhmen. Ata kanë vendosur të mbeten rrugicave, skutave, ballkoneve, selive të errëta. Ata sot janë “stenda” e muzeut të një politike primitive, klanore dhe kaotike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN