MENU
klinika

Gjermania nis protestat masive

Pse po kundërshtohen planet e partisë ekstremiste të djathtë?

22.01.2024 - 10:00

Fundjava u shoqërua në Gjermani prej demonstratave masive kundër partisë ekstremiste të djathtë Alternativa për Gjermaninë(AfD) dhe planeve të saj lidhur me emigracionin.

Të shtunën dhe të dielën u zhvilluan mitingje në disa nga qytetet e mëdha si Hamburg, Frankfurt, Këln, Dormund, Mynih dhe Berlin. Në protestat e fundjavës morën pjesë rreth 1,4 milionë vetë.

Pse po dalin kaq shumë njerëz në protesta?

Vala e mobilizimit kundër partisë së ekstremit të djathtë AfD u ndez nga një shkrim i datës 10 janar publikuar nga grupi investigativ Correctiv, i cili zbuloi se anëtarët e AfD-së ishin takuar në nëntor 2023 në Potsdam me një grup ekstremistësh për të diskutuar për dëbimin e emigrantëve dhe “qytetarëve të paasimiluar”. Të pranishëm kishin qenë edhe anëtarë të Unionit Kristian Demokrat (CDU), partia kryesore opozitare.Pjesëmarrësit në takim kishin diskutuar për “riemigrimin”, një term që përdoret shpesh në qarqet ekstremiste të djathta si eufemizëm për dëbimin e emigrantëve dhe të pakicave, përfshirë ata që kanë marrë nënshtetësinë gjermane.

AfD-ja po ngjitet në sondazhe

Lajmi për takimin tronditi shumë vetë në Gjermani në një kohë kur AfD-ja po ngjitet në sondazhet e zhvilluara në prag të tre zgjedhjeve të mëdha rajonale në Gjermaninë lindore, ku mbështetja për këtë parti është më e fortë. Kancelari Olaf Scholz, i cili iu bashkua një demonstrate fundjavën e kaluar, tha se çdo plan për të dëbuar emigrantë apo qytetarë ishte një “sulm kundër demokracisë sonë, dhe nga ana tjetër, ndaj të gjithë neve”.

AfD-ja e konfirmoi praninë e anëtarëve të saj në takim, por tha se propozimet e saj për emigracionin, të cilat ishin pjesë e manifestit të fundit zgjedhor, nuk përfshijnë shtetas që kanë marrë nënshtetësinë gjermane. Komentete të tilla në takim ishin bërë nga një figurë e ekstremit të djathtë austriak, Martin Sellner, i cili nuk është anëtar i AfD-së./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista e studiuesit bullgar për Deutsche Welle

“Muajt e ardhshëm, më të vështirët në historinë e BE”

Nga The Washington Post

16 vitet e Merkelit!