MENU
klinika

Vdekja e 41-vjeçares

Si tentoi Xhemal Loka të arratisej jashtë shtetit për t’ju fshehur hetimeve

08.01.2024 - 20:28

Të tjera detaje dalin në dritë nga rasti i Bedrie Lokës, e cila për shkak të dhunës dhe presionit psikologjik nga bashkëshorti, i ka dhënë fund jetës pak ditë më parë duke konsumuar fotoksinë.

Autoritetet kanë arrestuar bashkëshortin Xhemal Loka, si autori kryesor i dyshuar që ka “shkaktuar vetëvrasjen” e saj.

Në dosjen e siguruar nga Top Channel thuhet se bazuar në dinamikën e ngjarjes, Policia ka kontrolluar banesën e familjes Loka, nga ku rezulton se “në kotecin e pulave në anën jugore të banesës… gjendet e mbështjellë me peshqir një armë zjarri automatike “PPS”, me krehër pa fishek, pjesët e lëvizshme të rregullta e me gjilpërë të rregullt”. Në këtë vend po ashtu janë gjetur 114 copë fishekë, model ’54, kalibër 7.62mm dhe 4 katër fishekë model ’56, kalibër 7.62 mm” 48, të cilat, pasi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, u dërguan pranë Institutit të Policisë Shkencore Tiranë për t’ju nënshtruar ekzaminimit teknik balistik50, raporton “TCH”.

Xhemal Loka u shoqërua tri ditë më parë në Komisariatin e Policisë Durrës, pasi po përpiqej të largohej jashtë vendit për t’ju fshehur procesit hetimor lidhur me këtë ngjarje. Lokës iu gjetën një sasi parash prej 2’800 Euro dhe 27’000 Lekë me vete, të cilat u sekuestruan më pas në cilësinë e provës materiale.

“Në rastin objekt hetimi të procedimit penal nr.26, të vitit 2024, referuar dyshimeve të lindura se shtetasi Xhemal Loka është autor i veprave penale “shkaktimi i vetëvrasjes”, kryer në dëm të shtetases Bedrie Loka, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, dispozita e të cilit parashikon si masë dënimi “burgim nga tre deri në shtatë vjet”, dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer nëpërmjet mbajtjes së armëve në banesë, parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal, në kushtet kur nga rrethanat konkrete të çështjes, rezultuan “shkaqe të bazuara” që të bënin të mendoje se ekzistonte rreziku real që shtetasi në fjalë mund të largohej me qëllim për t’ju shmangur hetimeve të mëtejshme që po zhvilloheshin në ngarkim të tij, si dhe ndodhur në kushtet e “gjendjes së ngutshme” për të cilat ka vlerësuar se nuk mund të pritej urdhri i Prokurorit për ndalimin e të dyshuarit për një krim“, thuhet në kërkesën për vleftësimin e ndalimit.