MENU
klinika

Vrasjet më të bujshme me snajper në Shqipëri

Si u ekzekutuan viktimat në sekondë pa patur mundësi reagimi

08.01.2024 - 14:20

Atentatet mafioze mes grupeve kriminale vijojnë të marrin jetë njerëzish, duke shkaktuar jo pak tronditje në opinionin publik.

Rasti më i fundit ishte ajo e Vlorës, ku 23-vjeçari Gëzim Sinomati u ekzekutua në pak sekonda me një plumb në kokë, teksa ishte duke pirë cigare në ballkonin e banesës së tij.

Vrasja e të riut ishte e mirëmenduar deri në detaje, ku deri më tani hetuesit nuk kanë gjetur asnjë gjurmë nga autorët. Të favorizuar nga errësira dhe njohja e terrenit, ekzekutorët janë larguar pa lënë gjurmë dhe kanë djegur mjetin tip BMË, në të cilin nuk kishte asnjë shenjë apo send nga autorët.

Por shumë vrasje të bujshme me snajper kanë mbetur ende pa u zbardhur dhe pa autor.

Më 7 janar 2020 Kastriot Reçi u ekzekutua me armë zjarri përpara lokalit të tij në qendër të Rrëshenit, teksa rihapi plagën e vjetër të hakmarrjes në Mirditë në fillim të 2020-ës. Emri i tij ishte lakuar prej kohësh për trafikim droge, edhe pse në fakt nuk ishte skeduar asnjëherë. Reçi u ekzekutua në një plan të mirëorganizuar me një plumb të vetëm në zemër me snajper, që dyshohet vrasës me pagesë. Pasi takon një grua e cila mbante përdore një fëmijë në shëtitoren e qytetit, qëllohet dhe bie menjëherë në tokë.

Atentat me snajper i është bërë edhe Ardjan Çapjas në vitin 2020, ku u qëllua të paktën një herë dhe plumbi e kapi në zonën e shpatullës duke i shkaktuar dëmtimë jo vdekjeprurëse. Në drejtim të tij u qëllua prej kodrës së Krastës nga një largësi e pazakontë për armë të thjeshta. Arma, që u përdor nga autorët për të qëlluar në drejtim të Ardjan Çapjës u gjet brenda makinës tip “Volkswagen”, e cila u dogj disa kilometra larg vendit të atentatit.

Një tjetër ekzekutim me snajper është edhe ajo e Xhabir Shegës (Vid Shega) në verën e vitit 2015 pasi kishte kryer 12 vite burg për vrasjen e Indrit Bajrit në vitin 2001. Me shënjestrën që kishin marrë autorët nga Kalaja e Shkodrës, dy plumba me snajper në gjoks, i morën jetën Shegës, teksa ndodhej në oborrin e banesës. Shega dyshohet të ishte përfshirë edhe në një krim tjetër të ndodhur në vitin 1999 në një local në Shkodër ku u ekzekutuan pesë persona njëkohësisht. Prokuroria nuk arriti ta vërtetonte kurrë se kush e ekzekutoi Shegën me snajper.

Ndërkohë që në shtator të vitit 2022 Akil Nerjaku, i njohur ndryshe si “Kili” i Shijakut, i shpëtoi mrekullisht një atentati të mirëmenduar. Sapo “Kili” doli nga mjeti i tij i blinduar G-Class, ai u qëllua me snajper nga brenda një furgoni. Ai arriti të shpëtonte, ndërsa plumbi ka përshkruar një tjetër automjet me targa të huaja që ishte i parkuar.

Por për të parandaluar ngjarjet e tjera kriminale, policia kohët e fundit ka arrestuar disa persona, të cilët janë kapur me snajper në makinë. Mes personave që janë arrestuar, është edhe ish efektivi i RENEA-s Remal Rada, i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 7 vjet e 9 muaj burgim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN