MENU
klinika

Ngre militantët në protestë kombëtare

Berisha njofton tubim ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës

05.02.2024 - 20:12

20 shkurti është dita e triumfit tonë, është dita e dridhjes në themele të pushtetit të krimit
Sali Berisha ka njoftuar se më 20 shkurt, opozita do të zbresë në shesh kundër qeverisë. Sot u mbajt një protestë para Parlamentit, ku protestuesit më pas u zhvendosën poshtë banesës së Berishës.

Ish-kryeministri ka marrë fjalën dhe ka paralajmëruar se ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, opozita duhet të zbresë në shesh. Pra më 20 shkurt pritet të ketë një protestë kombëtare.

“Miqtë e mi kjo është betejë e triumfit, betejë e triumfit të luftëtarëve të lirisë, betejë e atyre që e duan Shqipërinë në Europë, betejë e triumfit të ëndrrave të të rinjve shqiptarë. Të dashur miq, ka vetëm një rrugë drejt fitores, betejë pa kthim, mosbindje civile. Me 20 shkurt, Shqipëria në Tiranë në ditën anti-tirani, në ditën anti-Edvin, në ditën kundër krimit, kundër dhunimit të votës, për dinjitetin e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve. 20 shkurti është dita e triumfit tonë, është dita e dridhjes në themele të pushtetit të krimit, të pushtetit të drogës, të monizmit të Edi Ramës”, tha ai.

Më tej Berisha ka vijuar me sulme ndaj Ramës, kreut të SPAK dhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Ai tha se opozita nuk do të lejojë poshtërimin e shqiptarëve.

“Demokrate e demokratë, simbolet e krimit, simbolet e monizmit, simbolet e poshtërimit të shqiptarëve janë parlamentit Rama-Linda, kryeministria e Edvin Kristaq Xhelatit, SKAP-i i Altin Dumanit, Surreli i Edvin Kristaq Xhelatit.

Nuk ka forcë në botë që do mbrojë këto simbole të krimit, të poshtërimit të shqiptarëve para jush, njerëzve idealistë, njerëzve atdhetarë, njerëzve demokratë. Para luanit të zgjuar të shqiptarëve, ndaj dhe beteja e luanit do të jetë shembja e këtyre ngrehinave të krimit”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.

Gjatë ditëve në vijim pritet të përcaktohet dhe ora e tubimit. Ndërkohë një gjë është e sigurt, Berisha sërish do e ndjekë dhe do e organizojë nga banesa tubimin. Me gjasë në fund të tubimit të 20 shkurtit, ata do t’i shkojnë sërish poshtë pallatit.