MENU
klinika

Kaosi në Kuvend dhe në komisionin e ‘Zgjedhores’

Etika përjashton Bardhin; Noka, Nallbati dhe Dogjani dënohen me 20 ditë!

07.02.2024 - 17:28

Sekretariati i Etikës, ka përjashtuar me 10 ditë, deputetin e PD-së Gazmend Bardhi për kaosin e shkaktuar në seancën e së hënës në Kuvend dhe në Komisionin Zgjedhor.

Gjithashtu për të njëjtën arsye janë përjashtuar me nga 20 ditë, tre deputetët e tjerë, Flamur Noka, Asllan Dogjani dhe Bledjon Nallbati, për hyrjen në sallën e Kuvendit edhe pse ishin të përjashtuar.

Noka, Dogjani dhe Nallbati ishin pjesë e grupit të 19 deputetëve të cilët u përjashtuan me nga 10 ditë javën e kaluar.

Ky vendim erdhi pas kërkesës së Partisë Socialiste për të përjashtuar nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare 4 deputetë demokratë Gazment Bardhi, Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka.

Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 ditë” për deputetin Gazment Bardhi, duke filluar nga data 08.02.2024 deri më datë 17.02.2024.

Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 20 ditë” për secilin nga deputetët Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka, duke filluar nga data 08.02.2024 deri më datë 27.02.2024”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se kërkesa e PS-së erdhi pas incidenteve të ditës së djeshme në kryesinë e kuvendit, ku deputetë Bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Flamur Noka dhe Gazmend Bardhi, u konfrontuan fizikisht me punonjësit e Gardës së Republikës.

Ndërkohë në seancën e kësaj të enjteje do të mungojnë dhe 19 deputetët demokratë që u përjashtuan më 29 janar.