Përfaqësues të Partisë Popullore Evropiane, të Gjelbrit dhe Social Demokratët në parlamentit Europian i kanë dërguar një letër Presidentit të Komisionit Evropian, Komisionerit për Zgjerimin dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikat e Integrimit dhe Sigurisë për zgjedhjet në Serbia.
Eurodeputetët kërkojnë një hetim ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale serbe. Letra gjithashtu kërkon që rezultatet e zgjedhjeve të mos njihen derisa të përfundojë një hetim i plotë i pavarur për parregullsitë zgjedhore.
Konkretisht kërkohet verifikim më i detajuar për procesin elektoral në Beograd ku pretendimet për manipulime zgjedhjesh kanë qenë më të mëdha nga opozita.
Letra citon raportin e vëzhguesve ndërkombëtar të zgjedhjeve, të cilët thonë se procesi elektoral në Serbi nuk mund të cilësohet i lirë dhe i ndershëm. Vëzhguesit kanë folur për parregullsi dhe mashtrime të hapura zgjedhore.
Eurodeputetët theksojnë se gjatë procesit elektoral u bënë akuza publike për blerje votash, abuzim me burimet publike, falsifikim të listave zgjedhore dhe blerje të mediave nga qeveria.
Pritet që më 8 shkurt Parlamenti Evropian do të votojë për rezolutën për zgjedhjet serbe. Ndërkohë qeveria serbe ka mohuar akuzat dhe i vlerëson zgjedhjet si të lira.